Artistja e njohur e popit dhe kantautorja shqiptaro-amerikane, Bebe Rexha, ka vendosur të hapë një kapitull të ri në karrierën e saj muzikore, duke ndjekur rrugën e pavarur dhe duke hyrë në një partneritet strategjik me shtëpinë diskografike dhe distribuese Empire, me seli në Bay Area të Shteteve të Bashkuara.
Ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë bashkëpunimi me Warner Records, nën të cilën Rexha publikoi tre albume studio dhe realizoi disa nga hitet më të mëdha të dekadës së fundit. Mes tyre përfshihen këngë shumë të suksesshme si “Meant to Be”, “I’m A Mess”, “Me, Myself, and I”, “In the Name of Love” dhe megahiti global “I’m Good (Blue)”, që u shndërrua në një nga këngët më të dëgjuara në botë.
Gjatë karrierës së saj, Bebe Rexha ka ndërtuar një profil të fortë ndërkombëtar përmes bashkëpunimeve me artistë të njohur si David Guetta, Lil Wayne, J Balvin, Doja Cat, Snoop Dogg, Kylie Minogue dhe Louis Tomlinson, duke u pozicionuar si një nga zërat më të rëndësishëm të popit bashkëkohor.

Lajmi për marrëveshjen e re u konfirmua nga vetë artistja përmes rrjeteve sociale, në përgjigje të një fansi, ku ajo njoftoi se “era e saj e re artistike tashmë ka nisur”. Edhe pse detajet financiare të kontratës nuk janë bërë publike, bashkëpunimi me Empire shihet si një hap i rëndësishëm drejt autonomisë më të madhe kreative dhe zgjerimit të ndikimit të saj në tregun global.
“Ky nuk është thjesht një vendim biznesi. Empire beson në vizionin tim dhe kjo më ka rifreskuar kreativitetin,” është shprehur Rexha, duke theksuar se kjo fazë e re përfaqëson një qasje më të sinqertë dhe pa kompromis ndaj artit të saj.
Nga ana tjetër, themeluesi i Empire, Ghazi, e ka cilësuar Rexhën si një ikonë të popit dhe një kantautore me ndikim të jashtëzakonshëm, duke theksuar se ky partneritet shënon një kapitull ambicioz për të dyja palët.
E lindur në Brooklyn, Bebe Rexha e nisi karrierën e saj në industrinë muzikore si autore këngësh për artistë të mëdhenj si Eminem, Rihanna dhe Selena Gomez. Ajo është katër herë e nominuar për çmimet Grammy dhe në vitin 2025 interpretoi himnin kombëtar amerikan në World Series, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një nga figurat më të rëndësishme të popit ndërkombëtar./KultPlus.com




