Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë sot në Shkup, në hotelin “Aleksandar Palace”, mban Kongresin e saj të 31-të, ku do të analizohet rezultati nga zgjedhjet e fundit lokale. Kongresi zhvillohet në kushte të tensioneve të shtuara brendapartiake dhe kritikave publike ndaj udhëheqjes së partisë dhe kryetarit Venko Filipçe.
Në pjesën e hapur të Kongresit është paraparë fjalimi i kryetarit të LSDM-së, pas së cilës do të vijojë pjesa e punës. Delegatët pritet të votojnë për besimin ndaj Bordit Qendror dhe Bordit Mbikëqyrës, si dhe për ndryshime statutore që kanë të bëjnë me vendosjen e platformave të reja digjitale për komunikim me anëtarësinë dhe votuesit.
Në periudhën e fundit, Filipçe është përballur me kritika të ashpra dhe kërkesa për dorëheqje nga ish-funksionarë partiakë. Ish-kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, kërkoi publikisht dorëheqjen e Filipçes, ndërsa kritika të hapura shprehu edhe ish-drejtori i Zonave të Lira Ekonomike, Jovan Despotovski, i cili vlerësoi se udhëheqja aktuale mban përgjegjësi të plotë për pakënaqësinë në parti.
Filipçe, në një deklaratë për Deutsche Welle, tha se nuk pret që tensionet të reflektohen në Kongres.
“Pres debat dhe diskutime nga delegatët. Kongresi është forumi i duhur për kritika dhe mendime reale. Nuk pres tensione, por kritika të sinqerta”, tha Filipçe.
Ai paralajmëroi se pas Kongresit do të ketë aktivitete të intensifikuara në organizatat komunale dhe angazhim më të madh të partisë në terren.
Shilegov dhe Despotovski nuk janë në mesin e 740 delegatëve të ftuar në Kongres. Shilegov më herët deklaroi se pakënaqësisë mund t’i bashkohen edhe disa deputetë të SDSM-së.
“Nëse një pjesë e deputetëve largohen nga partia, ndoshta edhe gjysma e grupit parlamentar, dhe kur udhëheqjet komunale t’ju mbyllin dyert, atëherë do ta kuptoni se duhet të largoheni nga funksioni”, deklaroi Shilegov.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe nënkryetari i LSDM-së, Oliver Spasovski, deklaroi mbrëmë për TV Alsat se udhëheqja duhet të japë llogari për punën dhe rezultatet zgjedhore.
“Kongresi duhet të nxjerrë përfundim nëse organet e partisë meritojnë besimin apo jo”, tha Spasovski, duke shtuar se deputetëve të LSDM-së nuk u është indiferente drejtimi në të cilin po lëviz partia.
Qëndrimi i Filipçes është se kritikat ndaj tij dhe ndaj partisë vijnë nga “individë të shantazhuar ose të blerë”, duke theksuar se anëtarët e vërtetë të LSDM-së i njohin përpjekjet për dobësimin e opozitës. Ai theksoi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje dhe se synimi i tij mbetet “shërimi i shoqërisë, çrrënjosja e korrupsionit dhe kthimi i shtetit në rrugën evropiane”.
Nënkryetarja e partisë, Jovana Trençevska, në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në MRT 1, shprehu bindjen se në Kongres do të marrin pjesë shumica e delegatëve.
Në dhjetor të vitit të kaluar, e gjithë udhëheqja e LSDM-së dha dorëheqje, përveç kryetarit Venko Filipçe, me kërkesë të tij. Dorëheqje dha edhe zëvendëskryetarja e partisë, Fani Karanfillova-Panovska.
Në Kongres janë ftuar edhe ish-kryetarët Zoran Zaev dhe Vlado Buçkovski, ndërsa ish-kryetari Branko Cërvenkovski nuk është ftuar, pasi e ka ngrirë anëtarësimin në LSDM.



