Ageler para largimit nga vendi u drejtohet qytetarëve: Do të jemi në anën tuaj

Ambasadorja amerikane në largim Angela Ageler ju drejtua qytetarëve të vendit në prag të largimit të saj, duke shprehur mirënjohjet e saja dhe duke konfirmuar angazhimin e SHBA-së në të ardhmen e tyre. Megjithatë Ageler vendosi edhe një herë theksin në përpjekjet që ka bërë për të shtyrë autoritetet të luftojnë korrupsionin në vend. Ageler thotë se partneriteti me SHBA-në ka drejtuar vendin drejt përmbushjes së objektivave si partner në NATO duke investuar në automjete taktike dhe stërvitje si dhe duke sjell përparim në realizimin e Korridoreve strategjike për NATO-n, 8 dhe 10.

Ageler në letrën e hapur përshëndetëse thotë se që kur erdhi në vend, kishte thënë se koha për të bërë ndryshim të vërtetë ishte tani. “Në disa fusha, duke punuar ngushtë së bashku, kemi bërë përparim të vërtetë. Në të tjera, mbetet punë për t’u bërë”, shkruan Ageler. Pas tre vitesh, ajo thotë se është dëshmuar se si duket miqësia e vërtetë dhe partneriteti konstruktiv.

“Duke zbuluar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke kontribuuar në reformat në drejtësi kur kthimi i investimit ka qenë i paktë, duke sanksionuar ata që kanë vjedhur prej jush me vite pa u ndëshkuar. Duke punuar për të krijuar mundësi dhe shpresë në komunitete ku të dyja janë zbehur. Duke bërë shtypje për rritje të vërtetë ekonomike, progres reale në projekte infrastrukturore dhe të energjisë dhe duke bashkëpunuar për të siguruar studime fizibiliteti që lehtësojnë zhvillimin e burimeve të rralla minerale të tokës, sigurinë kibernetike, dhe menaxhim të përgjegjshëm mjedisor… Dhe kemi pasur progres në shumë prej tyre”, tha Angela Ageler, Ambasadore e SHBA-së në largim.

Angela Price Ageler është diplomate amerikane karriere. Ajo u bë Ambasadore e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut më 8 nëntor 2022, pasi u konfirmua nga Senati i SHBA-së në fillim të atij viti.

Ageler në tre vite detyrë bëri thirrje vazhdimisht për një gjyqësor të pavarur pa presion politik dhe shprehu zhgënjim me progresin e ngadaltë në reformën gjyqësore. Ajo mbrojti publikisht sanksionet e SHBA-së ndaj figurave të akuzuara për korrupsion, përmes të ashtuquajturave “lista të zeza”, përfshirë politikanë e biznesmenë të profilit të lartë, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të mbështetur aspiratat drejt BE-së. Në fund të dhjetorit 2025, Ageler ishte midis gati 30 ambasadorëve të SHBA-së të tërhequr nga misionet e tyre diplomatike, si pjesë e një vendimi të Presidentit të SHBA-së Donald Tramp që prekte diplomatët e karrierës dhe postet e larta në të gjithë botën. Administrata e përcaktoi këtë si një proces standard në të cilin presidenti mund të emërojë përfaqësues të politikane të tij prioritare./ Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit