Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.T. Christophe Le Rigollet, gjatë të cilit u diskutua për avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mjedisit jetësor dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian.
Në takim, ministri Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i jep vendit, veçanërisht në zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e fondeve IPA. Ai theksoi se prioritet i Ministrisë është krijimi i një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotura, në kuadër të zbatimit të Programeve Operative Sektoriale për Mjedisin Jetësor dhe Veprimin Klimatik përmes IPA II dhe IPA III.
Theks i veçantë iu kushtua rolit të Agjencisë Franceze për Zhvillim dhe projektit rajonal për drejtësi mjedisore, të cilët kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve institucionale, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sundimit të ligjit në fushën e mjedisit jetësor.
Të dyja palët konfirmuan përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës, në frymën e vlerave evropiane, zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.



