Bajroni: Gratë shqiptare në rast rreziku shkojnë në luftë përkrah burrave

 

Si mësuese letërsie prej më shumë se tri dekada,kam pasur fatin qe ta studioj dhe ta komentoj veprën e Bajronit me nxënësit e shkollës së mesme. E shoh me vend për situatën e tanishme të bëjmë një udhëtim imagjinar me Bajronin nepër trojet shqiptare, në ato vende,ku i ka lënë të shkruara në kujtimet e tij.

Nuk di deri më sot të jetë bërë një promovim kaq i detajuar i bukurive natyrore dhe njerëzore të Shqipërisë, siç e ka bërë Bajroni për ne. Nuk ka dokument më autentik se letrat e Bajronit drejtuar nënës dhe miqve të tij, 200 vjet më parë, që vërtetojnë vendbanimet shqiptare deri në Prevezë, të cilat ai i përshkoi me këmbë.

Brezi i ri duhet ta njohë këtë poet, si njeri me temperament të lirë, me aftësi dhe mprehtësi konceptimi, me pjekuri dhe prirje drejt virtytit. Edhe pse mbante titullin Lord, dëshironte të ishte pranë njerëzve të thjeshtë dhe të eksploronte vende të pashkelura, të cilat i gjeti kur erdhi në Shqipëri.

Është krenari për ne shqiptarët që një i huaj, si Lordi Bajron, t’i drejtohet Shqipërisë me këto vargje:
“Shqipëri, lejo-më të kthej sytë e mi
Mbi ty, o nënë e rreptë burrash t’egër.”

Shqipëria për Bajronin qe një botë sa e fshehur aq edhe interesante, ku shkruan:
“Me të vërtetë që unë e kam parë Shqipërinë më shumë se kushdo anglez tjetër, sepse është vend i vizituar rrallë, ndonëse i bollshëm në stoli natyrore.

Në vendet e Ilirisë dhe të Epirit ka vende pa emër dhe lumenj të pahedhur në hartë; mundet që një ditë, kur të njihen më shumë, të jenë temat më të çmuara e të dorës së parë për penën…”

Ai, nga leximet e veta, dinte se Shekspiri i kishte vendosur disa ngjarje në Iliri. Kjo e la me kuptuar se këto vise nuk ishin të zbrazëta, por kishin vlera historike, kulturore dhe pasuri shpirtërore. Qëndrimi i tij në Patra, në Prevezë, në gjirin e Artës drejt Tepelenës, në majat e Papingjit, e mrekullonte, duke thënë:
“Kudo që shohim: rrotull, sipër, poshtë, na lë pa mend magjia ngjyrë ylberi… të gjithë njerëzit që takuam me fustanellat e bardha përshëndetnin shqipçarçe; ushtarët nuk dallohen nga fshatarët nga veshja, të gjithë mbajnë armë të stolisura… Kur arritëm në Epirin e qëmotshëm, afër malit të Tomorrit, u mirëpritëm nga i pari i vendit, Ali Pasha.”

Duke qëndruar në ato vende, kishte mësuar se deri ku shtriheshin krahinat shqipfolëse, si provincë e Turqisë Evropiane:
“Në perëndim ka Gjirin e Venecias, në lindje Maqedoninë, Thesalinë dhe Greqinë. Ndërsa në jug mbërrin deri në Gjirin e Lepantos ose Gjirin e Artës.”

Tablonë e Shqipërisë së Jugut, sidomos pjesën e Çamërisë, poeti anglez e paraqiti me admirim, ashtu siç bëri më vonë anglezja Meri Edith Durham për Shqipërinë e Veriut.

Të dy bashkë e plotësojnë tablonë e Shqipërisë dhe shqiptarët i përshkruajnë trima, të ndershëm dhe bujarë, edhe në varfërinë e tyre.

Kur Bajroni mbërriti në Qefaloni, suliotët, të përqendruar në lartësitë në lindje të Paramithisë, dëgjoheshin së tepërmi me kapedanin e tyre, Marko Boçari. Ata ishin thjesht shqiptarë. Ja disa vargje nga “Çajld Harold”:
“Kush ia shkon në trimëri suliotit brun,
Me të bardhë fustanellë e me gunë.”

Ishin suliotët ata që kërkonin ta kishin si prijës Bajronin në periudhën e Revolucionit Grek. Ishin ata që Bajroni i vlerësonte si luftëtarët më të mirë dhe më besnikë. Edhe pse për Bajronin ishte një detyrë përtej mundësive të poetit, ai e mori përsipër, sepse i printe Ideali i Lirisë, para të cilit nuk tërhiqej kurrë.

Historianët kanë faktuar se Gjon Boçari (paraardhësi i Marko Boçarit) ka qenë një nga luftëtarët më besnikë të Skënderbeut, prandaj Bajroni i drejtohet Shqipërisë:
“O Shqipëri, ku lindi Iskanderi, këngë e trimërisë, fanar i të urtëve.
Dhe Iskanderi tjetër që i tmerroi armiqtë me kordhën e tij kreshnike.”
(Thuhet se Aleksandri i Maqedonisë e kishte nënën epirote.)

Në letrat dërguar miqve shkruante:
“I dua shumë shqiptarët… nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset janë të krishterë, por feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre dhe se janë kaq tolerantë dhe kaq të lirë në paragjykimet fetare… Me sa kam parë vetë… ata shëmbëllejnë me malësorët e Skocisë, në veshje, në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës; trupi i tyre i hollë dhe i gjatë, dialekti keltik dhe zakonet e tyre të rrepta më shpien në Morven.”

Duke u nisur nga këto vlerësime që Bajroni u bënte shqiptarëve, Marko Boçari i përgjigjet letrës së Bajronit:
“Ju falënderoj për mendimin e mirë që keni për bashkatdhetarët e mi.
Ju falënderoj akoma më shumë për kujdesin që, me kaq zemërgjerësi, keni treguar për ta.
Me besnikëri, Marko Boçari.”

Bajroni, duke qenë për një kohë në mesin e shqiptarëve, kishte mësuar edhe shumë fjalë shqip, që i duheshin për të komunikuar. Interes kishte për këngët popullore, siç janë vargjet e këngës “Tamburxhi” në veprën e tij “Çajld Harold”:

“Tamburxhi, tamburxhi,
Kushtrimi yt u jep shpresë trimave në luftë i cyt,
Ngrihen bijtë e maleve si ndonjë skotë,
Himariotë, ilirë, ezmerë suliotë.”

Polifoninë e kishte për zemër. Ai mundi të regjistronte fjalët e disa këngëve popullore:
“Në sevda tënde u lavosa,
Vetëm u përvëlofsha,
Ah, vajzë, më përvëlofshe,
Zemrën ma lavose,
Unë të thashë rroba s’dua,
Po sytë e vetullat e tua.”

Këtë këngë Bajroni edhe e përktheu:
“I am wounded by thy love and have loved, but to scorch myself.
Thou hast consumed me!
Ah maid! Thou hast struck me to the heart.
I have said I wish no dowry,
But thine eyes and eyelashes.”

Këto këngë Bajroni i këndonte në shtëpi dhe në rrethe të ngushta. Kishin kaluar pesë vjet që Bajroni ishte larguar nga Shqipëria, por kënga i zgjoi kujtimin e atij vendi të mrekullueshëm, duke u thënë miqve, së bashku me poetin Shelli, me të cilët po bënte një shëtitje në Liqenin e Gjenevës:
“Tani bëhuni sentimentalë dhe dëgjojeni me tërë vëmendjen tuaj.”

Dhe melodia e këngës labe tingëlloi fuqishëm dhe mori udhë bashkë me valët e liqenit.

Shumë pëlqente meloditë baritore; i kishte mbetur në mendje një djalë 15-vjeçar që kishte bërë një fyell prej krahut të shqiponjës, nga ku nxirrte melodi rrënqethëse.

Bajroni, kur ishte në Shqipëri, argëtohej duke parë vallet e bukura, sidomos ato me karakter luftarak, që shoqëroheshin me këngë trimërie dhe kërceheshin rreth zjarrit, para ose pas përpjekjeve e luftimeve. Sidomos vallja çame, vallja e vjetër e Konispolit, me atë çastin kulminant kur valltari përkulet pas në “urë”, me kokën mbështetur përdhe, dhe të tjerët kalojnë mbi gjoksin e tij, duke shprehur kështu guximin dhe sakrificën, sepse armiqtë do ta shkelin këtë truall vetëm kur të shkelin mbi gjokset e tyre.

Bajroni pëlqente akoma më shumë veshjen shqiptare, të cilën e quante “petkun më të bukur në botë”:
“Shih të egrin shqiptar me fustanellë
E rrobat të qëndisura me ar,
Armët të lara me flori, sa bukur!”

I mahnitur nga kjo bukuri, Bajroni kishte marrë disa veshje popullore. Me kostumin shqiptar ai pozoi për piktorin Tomas Filips. Ky portret ndodhet në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër (National Portrait Gallery) dhe paraqitet në çdo botim të denjë për Bajronin.

Duke qenë Bajroni përhapës i tematikës shqiptare, me përmbledhjen e këngëve popullore shqiptare u bë objekt studimi nga albanologët si Gustav Meyer apo baronesha Xhuzepina Knorr, albanologe e njohur austriake, e cila për misionin e Bajronit u shpreh: “T’i bësh mirë njerëzimit është dëshira më bujare.”

Ndërsa për letrën e Bajronit dërguar nënës së tij ajo thekson se Bajroni e ka marrë frymëzimin për liri nga shqiptarët.

Për burrat shqiptarë, shkruan Bajroni, kanë trupa shumë të mirë; nuk shquhen si kalorës, por në këmbë janë të palodhur dhe shumë të duruar. Armën, kur e hedhin supit të djathtë, e mbajnë pa asnjë sforcim, ndërsa vrapojnë përpjetë maleve të tyre me lehtësi e zhdërvjelltësi. Ndoshta janë raca më e bukur në botë.

Nga tiparet edhe gratë janë të hijshme; vajzat arnaute janë shumë të bukura dhe kostumi i tyre është shumë piktoresk. Ata edhe hijeshinë e trupit e ruajnë më gjatë, pasi rrojnë përjashta në ajër të lirë. Ata bëjnë jetë patriarkale, por kjo ndrydhje e përkohshme e personalitetit të tyre u duket e natyrshme, madje u jep krahë për të gjetur kuptimin e jetës në dashurinë dhe detyrën amtare. Janë po ato gra që, në raste rreziku e nevoje, shkojnë në luftë përkrah burrave dhe kurrë nuk dorëzohen për të mbrojtur nderin e tyre. Ishin gratë e fshatit Dhoksat që ndërtuan urën e prishur nga përroi i rrëmbyer, kur morën vesh se do të kalonim ne në udhën e bllokuar nga gurët.

Edhe një numër piktorësh u frymëzuan nga vepra e Bajronit, si Eugène Delacroix (1798–1863). Nuk është rastësi që Delakrua, i cili nuk erdhi kurrë në Shqipëri, por u frymëzua nga vepra e Bajronit, dha kryevepra me temën e suliotëve, si “Burrë me veshje suliote”, “Etyd për Boçarin” etj.

Po ashtu Arry Scheffer, me pikturën “Gratë e Sulit”, u frymëzua nga Bajroni për aktin heroik të suliotëve.

Mbi të gjitha, vepra e Bajronit frymëzoi luftëtarët e lirisë dhe pati jehonë në të gjithë botën. Në Spanjë, lufta kundër pushtuesit francez u përjetësua me vargjet “Vajza e Saragosës” në veprën “Çajld Harold”. Në Itali, në luftën kundër pushtimit austriak, ku Bajroni mori pjesë në lëvizjen e Karbonarëve. Më vonë, projektuesi i bashkimit të Italisë, Xhuzepe Macini, i çoi më tutje idetë për liri, pavarësi dhe unitet për mbarë Evropën.

Vlen të përmendet ndikimi tek arbëreshët, të cilët e treguan veten si luftëtarë të Garibaldit, pa përmendur De Radën, Dora d’Istria, Kulluriotin, rilindësit tanë, të cilët e kishin në qendër të vëmendjes lirinë, pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve.

Jehona e poetit të lirisë arriti deri në Amerikë. Ishte koha e ashpërsimit të kontradiktave ndërmjet pushtuesve anglezë dhe kolonive në Amerikën e Veriut, që arriti në luftë të armatosur deri në fitoren e pavarësisë. Ai u përshkrua në gazetat e kohës si poeti më i preferuar i amerikanëve: “The favourite poet of the Americans”.

Në Shqipëri, Bajroni njohu një popull kryengritës, të lirë e të pavarur në shpirt, trim, besnik, të paepur, krenar, të ndershëm e mikpritës, me të cilët luftoi në “Betejën e Mesolongjit”.

Jehona e tematikës shqiptare në botë, në sajë të veprave të Bajronit, ishte shumë e gjerë dhe me shtrirje të madhe në kohë. Të gjitha këto shtojnë nderimin dhe mirënjohjen e popullit shqiptar për Bajronin, të cilin askush nuk e detyroi të pohonte kaq hapur në favor të shqiptarëve. Bajroni të gjitha këto i gjeti të mbjella në tokën e ilirëve, në Sul, Paramithi, në Çamëri.

Edhe sot, vepra e Bajronit është nxitje për brezat për të njohur trojet e shqiptarëve dhe trimëritë e tyre, që luftuan me Bajronin, prijësin e tyre, së bashku me luftëtarët grekë kundër pushtuesve turq deri në pavarësi, për të cilën Bajroni dha edhe jetën.

Vdekja e Bajronit në Greqi është simboli më i bukur i misionit të artit. Bajroni kishte bërë një betim pa kushte me kauzën e popullit, kur thotë:
“Për ty, Greqi, dhashë gjithçka… tani po jap edhe jetën.”

I gjithë ky angazhim i mendimit dhe veprimit të Bajronit në luftën për liri të popujve kishte të vetmin ideal: emancipimin e shoqërisë njerëzore. Kështu poezia e tij e realizoi misionin e vet, për atëherë dhe për sot, për të zgjidhur kontradiktat mes popujve, si në rastin e shqiptarëve me fqinjët. Në rastin në fjalë, luftëtarët e Sulit dhanë jetën kundër pushtuesit otoman për lirinë dhe pavarësinë e Greqisë, dhe sot shtetet përkatëse duhet t’i vënë në balancë veprimet e tyre në aleanca të ndershme për t’u bërë ballë sfidave të kohës, me urtësi, paqe dhe drejtësi. Pertefe Leka/ KultPlus.com

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit