Osmani: Vizioni i Rugovës vazhdon ta udhëheqë Kosovën drejt integrimit euroatlantik

Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar rolin e tij vendimtar në ndërtimin e aleancave me partnerët euroatlantikë, duke theksuar se vizioni i Rugovës mbetet edhe sot një dritë udhërrëfyese për Kosovën.

Osmani, gjatë homazheve së bashku me familjen Rugova, ka deklaruar se Rugova ishte atelieri i pavarësisë së Kosovës dhe figura që bashkoi qytetarët rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Ajo ka shtuar se këto aleanca u ndërtuan nga presidenti Rugova me një vizion të pashoq, i cili edhe sot shërben si udhërrëfyes për një Kosovë më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike.

“Presidenti Rugova, bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri pavarësi dhe demokraci, kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë, luftës sonë çlirimtare dhe ndërtimit të aleancave me aleatët tanë strategjik brenda familjes euroatlantike, aleanca këto që i ndërtoi presidenti Rugova me një vizion të pashoq, vizion ky i cili edhe sot mbet dritë udhërrëfyese për gjithësecilin prej nesh, që e duam Kosovën akoma më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike”, tha Osmani.

Ndërsa, gruaja e ish-presidentit, Fanë Rugova u shpreh falënderuese për aktivitetet e sotshme për të nderuar presidentin historik, Ibrahim Rugova.

“Falënderoj shumë presidenten Osmani për këtë ceremoni që realizoi për nder të presidentit historik të Kosovës Rugova, për të gjitha këto aktivitete për ditën e sotshme”, u shpreh Rugova.

Në homazhe, të pranishëm ishin edhe ambasadorët e QUINT-it në Kosovë, për të nderuar presidentin Ibrahim Rugova./kp

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit