S’ka më cigare më të lira në free-shop në “Evzoni”, pikën kufitare mes Maqedonisë dhe Greqisë

Udhëtarët që deri më tani blinin rregullisht cigare dhe duhan në free-shop-in e pikës kufitare “Evzoni”, tani e tutje nuk do ta kenë këtë mundësi, përcjell TV21. Sipas informacioneve nga mediat e rajonit, që nga 31 dhjetori 2025 është ndërprerë shitja e këtyre produkteve në dyqanin e kësaj pike kufitare.

Institucionet kompetente sqarojnë se cigaret dhe produktet e duhanit janë hequr nga oferta për shkak se çmimet e tyre tashmë pothuajse janë barazuar me ato në Greqi, duke bërë që free-shop-i ta humbasë avantazhin e tij në çmim.

Free-shop-i në pikën kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, për vite me radhë ishte një nga vendet më të preferuara për udhëtarët që dëshironin të blinin cigare dhe duhan më të lirë, por me këtë ndryshim, blerja e këtyre produkteve nuk do të dallojë më nga ajo në dyqanet e rregullta greke.

Vendimi është pjesë e përpjekjeve më të gjera në rajon për harmonizimin e çmimeve të produkteve me akcizë dhe forcimin e luftës kundër kontrabandës dhe tregtisë ilegale të duhanit. Pasagjerët që do të kalojnë përmes kësaj pike kufitare do të duhet të përshtaten me gjendjen e re, pasi nuk do të ekzistojë më motiv financiar për blerje përtej kufirit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit