Rumen Radev jep dorëheqje nga posti i presidentit të Bullgarisë

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka dhënë dorëheqje nga funksioni i tij në një fjalim të jashtëzakonshëm drejtuar kombit. Vendimi i tij vjen pikërisht në datën kur, katër vite më parë, kishte dhënë betimin për mandatin e dytë presidencial.

“Sot po ju drejtohem si president për herë të fundit. Së pari dua t’ju kërkoj falje. Koha e ka vënë në provë besimin tuaj dhe për këtë ju falënderoj për durimin,” deklaroi Radev.

Ai njoftoi se të martën do ta dorëzojë zyrtarisht dorëheqjen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa detyrën e presidentes së shtetit do ta marrë zëvendëspresidentja, Ilijana Jotova.

“Jam i bindur se Jotova do të jetë një kryetare shteti e denjë. Dua ta falënderoj për mbështetjen gjatë këtyre nëntë viteve. Si zëvendëspresidente dhe presidente, kemi dëshmuar se mund të punojmë në mënyrë të sinkronizuar kur kemi një qëllim të përbashkët. Jam i sigurt se ajo do ta ushtrojë me dinjitet këtë detyrë,” u shpreh Radev.

Në fjalimin e tij, Radev bëri një përmbledhje të zhvillimeve gjatë nëntë viteve të fundit, duke theksuar se Bullgaria u anëtarësua në zonën Shengen dhe në eurozonë. Megjithatë, ai sqaroi se këto arritje nuk sollën stabilitet dhe kënaqësi për qytetarët, për shkak të rënies së pjesëmarrjes në zgjedhje dhe mungesës së besimit në sistemin gjyqësor.

“Shteti vuan nga një sistem keqdashës i qeverisjes. Ekzistojnë shenja formale të demokracisë, por ajo funksionon sipas mekanizmave të oligarkisë. Politika zhvillohet jashtë institucioneve,” deklaroi Radev.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit