Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, po merr pjesë në konferencën rajonale triditore “Nga korniza në veprim: Ndërtimi i shërbimeve sociale më të forta, më gjithëpërfshirëse dhe të integruara” në Bukuresht, Rumani.
Konferenca, siç informon Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, i unifikoi politikëbërësit qeveritarë në nivel evropian, përfaqësuesit e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, akademikët dhe ekspertët e politikave sociale, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe përparimin e shërbimeve sociale.
Ministri Limani, i cili mbajti fjalim në sesionin ministror, iu referua reformës së sistemit të mbrojtjes sociale në Maqedoninë e Veriut, e filluar në vitin 2019, e cila përfaqëson pasqyrim të drejtpërdrejtë të prioriteteve strategjike të Qeverisë – drejtësi sociale, përfshirje ekonomike, kujdes për të rinjtë dhe familjet, dhe ndërtim të një shteti funksional, modern dhe digjital.
“Në kushte krizash të shumëfishta – ekonomike, shëndetësore dhe energjetike, ne vendosëm të investojmë te njerëzit. Andaj, kjo reformë e vlefshme. Ajo e ndryshoi logjikën e sistemit: nga ndihma e fragmentuar në të integruar, nga administratimi në përkujdesje, nga institucionet e centralizuara drejt shërbimeve pranë qytetarëve. Kjo reformë është rezultat i bashkëpunimit afatgjatë dhe të vazhdueshëm me Bankën Botërore, mbështetja profesionale dhe financiare e së cilës ishte thelbësore për përgatitjen dhe zbatimin e suksesshëm të saj. Pa këtë mbështetje, procesi reformues vështirë se do të ishte realizuar ose do të kishte arritur rezultatet e planifikuara”, theksoi Limani.
Ai theksoi disa ndryshime kyçe që kanë kontribuar në përparimin e mbrojtjes sociale në vend, siç është krijimi i kornizës së fortë ligjore dhe institucionale, në përputhje me standardet evropiane. Krahas kësaj, vuri në dukje Ligjin e ri të Mbrojtjes Sociale, Ligjin e Sigurimit Social për të Moshuarit, si dhe ndryshimet e Ligjit të Mbrojtjes së Fëmijëve, të cilët janë themeli i ndërtimit të sistemit të drejtë, transparent dhe të qëndrueshëm.
“Luftën kundër varfërisë dhe të përjashtimit social e adresuam përmes reformës themelore të kompensimeve monetare. E thjeshtësuam sistemin, vendosëm targetim real sipas nevojave të amvisërive, si dhe i rritëm shumat për kategoritë më të cenueshme me mbi 300%”, shtoi mes tjerash, Limani.



