Ura e fshatit Niçë është restauruar dhe tashmë është jashtë rrezikut të shembjes.
Bashkia e Pogradecit e konsideroi këtë ndërhyrje restauruese si një kapitull të ri për urën historike të Niçës.
Kjo urë është Monument Kulture, Kategoria I dhe daton të jetë ndërtuar në shekullin e 18-të. Përveç se është një urë për kalim këmbësorësh ajo është edhe një atraksion kulturor.
Ura e Niçës ndodhet fare pranë fshatit me të njëjtin emër në krahinën e Gorës. Ajo është ndërtuar prej guri dhe përbëhet nga një hark i vetëm. Ura i përket shek. XVIII, por është ndërtuar mbi një rrugë shumë më të vjetër se ajo e cila ishte një degëzim i rrugës Egnatia dhe lidhte Përrenjasin me Gurin e Kamjes-Niçën-Llëngën etj.
Vetë ura lidhte dy brigjet e një përroi dhe ka përmasa relativisht të vogla ku gjatësia nuk i kalon 6 m ndërsa lartësia është rreth 3 m. Për ndërtimin e saj ekziston ndër banorët e fshatit një legjendë si ajo e kalasë së Rozafës e cila lidhet me murosjen e një nuseje të re në këmbët e urës, si e vetmja mënyrë që ura të mos shembej. Largësia nga qyteti i Pogradecit është rreth 15 km në jugperëndim./atsh/KultPlus.com



