BDI akuzon se Çairi edhe 3 muaj pas zgjedhjeve është ne kaos

Kanë kaluar tre muaj nga zgjedhjet lokale të 19 tetorit, ndërsa në Komunën e Çairit, sipas BDI-së, nuk është realizuar asnjë nga premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore nga kryetari aktual, Izet Mexhiti.
Nga BDI-Dega në Çair theksojnë se, pavarësisht premtimeve për zhvillim, investime, projekte infrastrukturore, përmirësim të arsimit, pastërti dhe rritje të cilësisë së jetës, deri më tani nuk ka nisur asnjë punë konkrete në terren.
“Sot, pas tre muajsh qeverisjeje lokale, realiteti është krejtësisht i kundërt nga ajo që u premtua qytetarëve. Nuk është renovuar asnjë shkollë, nuk ka investime të dukshme, ndërsa Çairi vazhdon të përballet me papastërti, rrugë të shkatërruara, gropa të hapura dhe ndotje të ajrit”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie, situata është alarmante edhe në administratën komunale, e cila, siç theksohet, funksionon pa prezencë të rregullt të kryetarit të komunës gjatë pjesës më të madhe të ditës, gjë që ka sjellë mungesë vendimmarrjeje dhe kaos institucional.
BDI kritikon ashpër edhe emërimet kadrovike, duke e cilësuar si të vetmen “arritje” të këtyre tre muajve emërimin e shefit të shtabit zgjedhor, njëherësh dhëndër i kryetarit, Besim Koka, në post drejtori, veprim që sipas tyre dëshmon nepotizëm dhe keqpërdorim të pushtetit.
“Çairi nuk ka nevojë për improvizime dhe emërime familjare, por për punë reale, përkushtim dhe përgjegjësi. Tre muaj pas zgjedhjeve, qytetarët kanë marrë vetëm zhgënjim”, thekson BDI-Dega në Çair.
Në fund të reagimit, BDI deklaron se do të vazhdojë të vlerësojë qeverisjen lokale jo mbi bazën e fjalëve, por të veprave, duke nënvizuar se deri më tani, sipas tyre, nuk është bërë asgjë konkrete.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit