Reshat Ameti nga BDI: Mësimdhënësit në Çair pa paga

Reshat Ameti nga BDI ka reaguar ashpër sot ndaj vonesës së pajustifikueshme të pagave për qindra mësimdhënës në Komunën e Çairit, duke e cilësuar situatën si dështim të rëndë institucional dhe papërgjegjësi të hapur të udhëheqjes komunale.
Sipas Ametit, kërkesa për pagesën e pagave të muajit dhjetor është dërguar vetëm më 12 janar, ndonëse procedurat ligjore kërkojnë që kjo të bëhet në ditët e para të muajit. Si pasojë, është kaluar edhe afati ligjor i 15 janarit, duke lënë mësimdhënësit pa paga pikërisht në muajin më të vështirë për familjet – janarin, me fatura më të larta, borxhe të akumuluara dhe shpenzime të shtuara.
“Ky nuk është një gabim administrativ, por një paaftësi dhe papërgjegjësi institucionale që godet drejtpërdrejt dinjitetin e mësimdhënësve dhe sigurinë ekonomike të familjeve të tyre,” theksoi Ameti.
Ai shtoi se Dega e BDI-së në Çair do të jetë zëri i mësimdhënësve dhe nuk do të heshtë përballë shkeljes së të drejtave të punëtorëve. “Nuk do të pranojmë që neglizhenca të kthehet në zakon dhe padrejtësia në rutinë,” u shpreh ai.
BDI në Çair kërkon:
përgjegjësi të menjëhershme nga udhëheqja e Komunës së Çairit,
sqarim publik për vonesën,
pagesë të menjëhershme të pagave dhe garanci që raste të tilla të mos përsëriten.
“Mësimdhënësit nuk kërkojnë privilegje, por atë që u takon me ligj dhe dinjitet. Një komunë që nuk respekton mësimdhënësit e saj, rrezikon të ardhmen,” përfundoi Reshat Ameti.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit