27 vjet nga masakra, Walker: Shpesh më pyesin pse flas vetëm për Reçakun?

27 vjet më parë, në fshatin Reçak të Shtimes, ndodhi një nga krimet më të rënda gjatë luftës në Kosovë, ku 45 civilë shqiptarë u masakruan mizorisht nga forcat paramilitare serbe.

Masakra u bë e njohur për opinionin ndërkombëtar falë reagimit të menjëhershëm të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Walker pa nga afër trupat e pajetë të civilëve dhe ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

 

Rreth tre dekada më vonë, në Akademinë Përkujtimore të Masakrës së Reçakut, Walker deklaroi se, nëse dikush do t’i kishte thënë para 27 vitesh se Kosova do të ishte e lirë, ai nuk do ta kishte besuar.

“27 vite më parë kam vizituar Reçakun për herë të parë dhe për 27 vjet jam intervistuar. Unë fola për atë që kishte ndodhur dhe që pash atë ditë. Dua të them ca fjalë për ata që meritojnë falënderime që kanë ndodhur pas masakrës. Kam dëgjuar fjalë për UÇK-në, dhe prodhuan atë që jetojmë sot. Nuk e kam menduar që do të kishte një Republikë të Pavarur. Po të më thoshte dikush që pas kaq vitesh do të isha para një vendi të pavarur do të thosha ‘je i çmendur’. Aq shumë ka ndryshuar për 27 vite. Një grup njerëzish që mendoj që gëzojnë respekt, janë ata që kanë ardhur me mua që të shërbejnë në Kosovë nga mbi 30 vende anëtare të OSBE-së. Ata erdhën pa mbrojtje, ne nuk kishim armë përkundër rrezikut që kishte këtu. Asnjëherë s’kam pasur frikë sa herë kam ardhur me misionin. Ishin disa kosovarë që ishin aty për të më mbrojtur mua”, tha ai.

Ambasadori Walker theksoi se ishte Reçaku që i tregoi botës të vërtetën e Kosovës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit