Kreu i integristëve, Ali Ahmeti, pas takimit të liderëve politikë, ka deklaruar se ideja e kryeministrit Hristijan Mickoski për shfuqizimin e qeverisë teknike nuk mund të procedohet pa konsultime paraprake me faktorët ndërkombëtarë transmeton Tetovasot.
Ahmeti theksoi se qeveria teknike është produkt i Marrëveshjes së Përzhinës dhe se çdo ndryshim lidhur me këtë model duhet të diskutohet edhe me bashkautorët e saj.
“Sa i takon qeverisë teknike, qëndrimi ynë është se duhet të konsultohemi edhe me bashkautorët e sjelljes së këtij ligji, BE-në dhe SHBA-në”, tha Ahmeti.
Duke folur për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, Ahmeti bëri të ditur se BDI tashmë ka paraqitur propozimet e saj dhe shprehu qëndrim të qartë për reformën zgjedhore.
“Ne pajtohemi me një zonë zgjedhore, me prag prej 5 për qind dhe me lista të hapura. Tani mbetet kjo çështje për diskutime të mëtejme”, deklaroi Ahmeti.
Sa i përket sigurimit të shumicës së dyfishtë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Ahmeti kritikoi mënyrën se si është vepruar deri më tani, duke e cilësuar procesin si arbitrar.
“Nuk janë bërë konsultat e nevojshme, por është vepruar në mënyrë arbitrare. Demokracia konsensuale ka rregullat e veta”, theksoi ai, duke shtuar se koordinatorët e grupeve parlamentare duhet të zhvillojnë konsultime shtesë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.



