Peter Sorensen – i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – ka mbërritur në Prishtinë të enjten në mëngjes, për takime me udhëheqës të vendit, para se ta vizitojë edhe Serbinë në përpjekje për të shënuar përparimin në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
Sorensen u pa duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës herët në mëngjes, ku pritet të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
I dërguari i bllokut gjithashtu do të pritet në një takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në orën 10:00. Më pas, ai do të ketë takim edhe me opozitën kosovare.
Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen do udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.
Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.
Kjo do të jetë vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.
Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.
Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.
Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.
Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.
Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.
Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët.
Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.



