Numri i të vdekurve nga protestat në Iran ka arritur në 2.403, njoftoi HRANA, grupi për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara (SHBA).
Ky numër po vazhdon të rritet sepse udhëheqësit klerikë të Republikës Islamike po bëjnë përpjekje për ta shtypur valën më të madhe të protestave antiqeveritare ndër vite, duke nxitur kërcënime për ndërhyrje nga SHBA-ja.
Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje iranianëve t’i vazhdojnë protestat, duke iu premtuar se do t’iu dalë në ndihmë.
HRANA tha të mërkurën vonë se deri më tani e ka verifikuar vdekjet e 2.403 protestuesve, 147 individëve të lidhur me Qeverinë, 12 personave nën moshën 18-vjeçare dhe nëntë civilëve që nuk kanë marrë pjesë në protesta.
Një zyrtar iranian tha të martën se rreth 2.000 njerëz janë vrarë. Kjo ishte hera e parë që autoritetet japin një shifër të përgjithshme të viktimave nga trazira mbarëkombëtare mbi dyjavore.
“Ndihma po vjen”
I pyetur se çfarë nënkuptonte kur tha se “ndihma po vjen”, Trump u tha gazetarëve se ata do të duhej ta kuptonin vetë.
Trump ka deklaruar se veprimi ushtarak është ndër mundësitë që është duke i shqyrtuar për ta ndëshkuar Iranin për shtypjen e protestave.
Në një intervistë për CBS Neës, Trump tha se SHBA-ja do të ndërmarrë “veprime shumë të forta” në Iran, nëse regjimi fillon t’i varë protestuesit.
“Nuk duam që ajo që po ndodh në Iran të vazhdojë”, tha ai. “Nuk do të përfundojë mirë”.
Ai shtoi se administrata po pret një konfirmim zyrtar të numrit të protestuesve të vrarë nga forcat iraniane të sigurisë.
Trump shpalli tarifa importi prej 25 për qind për produktet nga çdo vend që bën tregti me Iranin – i cili është eksportues i madh i naftës.
Kina, e cila blen pjesën më të madhe të eksporteve të naftës së Iranit, e kritikoi menjëherë këtë veprim.
Në një bisedë telefonike të shtunën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, diskutuan mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në Iran, sipas një burimi izraelit të pranishëm në bisedë, raporton Reuters.
Irani u zotua se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sulmi duke goditur Izraelin dhe bazat e anijet amerikane.
Trazirat, të nxitura nga kushtet e rënda ekonomike, kanë paraqitur sfidën më të madhe të brendshme për udhëheqësit iranianë për të paktën tre vjet dhe kanë ndodhur në një kohë presioni ndërkombëtar në rritje ndaj Iranit për programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike.



