Prokuroria e Kumanovës ka njoftuar se pas hetimeve, do të hapë procedurë penale dhe do të propozojë masën e paraburgimit për dy persona për veprën penale “sulm seksual dhe përdhunim” sipas nenit 186 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, ndërsa njëri prej tyre dyshohet edhe për veprën penale “shantazh” sipas nenit 259 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Kumanovës, i dyshuari i parë, në kundërshtim me vullnetin e shprehur qartë, ka kryer veprime seksuale ndaj një vajze të mitur në rajonin e Likovës dhe e ka detyruar atë të kryejë veprime seksuale edhe me të dyshuarin e dytë.
“Më pas, ai e ka shantazhuar viktimën duke e kërcënuar se gjoja do të publikonte fotografi të saj eksplicite nëse ajo nuk i paguante 20.000 euro. Vajza është detyruar të marrë para nga shtëpia pa dijeninë e prindërve dhe të huazojë nga persona të tjerë, duke ia dorëzuar paratë të dyshuarit të parë në disa raste”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori publik, thuhet më tej në njpftim, duke vlerësuar se janë plotësuar bazat ligjore, i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Kumanovës propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit, të cilët janë privuar nga liria.
Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës vazhdon të ndërmarrë veprime hetimore, ndërsa shton se në interes të hetimit dhe për nevojën e mbrojtjes së viktimës së mitur, prokuroria apelon për raportim të kujdesshëm dhe etik mbi ngjarjen, si dhe për përdorimin e burimeve zyrtare. (koha.mk)



