Në ambientet e shtëpisë botuese Lena Grafik në Prishtinë, sot është botuar libri me tregime “Bota në teleskopin tim”, i autorit vetëm 12-vjeçar, Blin Islami.
Libri përfshin 20 tregime të shkurtra, të cilat hapen me tregimin “Roboti i Djallit dhe Burri Gjigant” dhe përmbyllen me “Qeni dhe djali”. Përmes një gjuhe të thjeshtë, të kuptueshme dhe plot fantazi, autori i ri sjell botën e parë nga këndvështrimi i një fëmije që vëzhgon realitetin dhe imagjinatën “si me teleskop”.
Personazhet e tregimeve janë të larmishëm: njerëz, fëmijë, kafshë, një robot – simbol i teknologjisë bashkëkohore – si dhe qenie mitologjike si kuçedra. Në to, e mira përballet dhe ngadhënjen mbi të keqen, ndërsa temat kryesore janë mirësia, ndershmëria, guximi, dhembshuria, dëshira për dije dhe për ta njohur botën.
Redaktori i librit, veprimtari Avni Dehari, thekson se ka ndërhyrë vetëm në ndreqjen e gabimeve gjuhësore, duke ruajtur plotësisht stilin dhe origjinalitetin e autorit të ri. “Të tjerat, fund e krye, janë punë e autorit”, shkruan Dehari në parathënie, duke shprehur bindjen se Blin Islami do të vazhdojë të befasojë lexuesin edhe me krijime të tjera letrare në të ardhmen.
Me rastin e botimit të librit, gjyshi Avni dhe gjyshja Xhemile Dehari i urojnë Blinit shëndet, suksese në mësime dhe shumë botime të tjera në rrugëtimin e tij letrar.
“Bota në teleskopin tim” përfaqëson një zë të ri premtues në letërsinë për fëmijë dhe dëshmi të talentit krijues që po shfaqet që në moshë të hershme.



