Vetura bie në përrua, pasagjerin e merr rrjedha e ujit! Policia e Shqipërisë arrestoi shoferin, u largua nga vendngjarja

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të natës në fshatin Dars të Klosit, në Shqipëri, ku një mjet tip “Audi” me targa angleze ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit.

Nga hetimet rezultoi se drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja ndërsa nuk ndihmoi pasagjerin, i cili rezulton i zhdukur pasi është marrë nga rrjedha e ujit. Policia e Shqipërisë bëri të mundur identifikimin e drejtuesit të mjetit, A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos, i cili u vu në pranga.

24-vjeçari dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja dhe nuk ka dhënë ndihmën e nevojshme për pasagjerin që ndodhej brenda automjetit. Testi i alkoolit ka rezultuar pozitiv, duke treguar se drejtuesi i mjetit drejtonte në gjendje të dehur.

Nga hetimet dyshohet se pasagjeri, J. K., 30 vjeç, gjithashtu banues në Fullqet, është marrë nga rrjedha e përroit dhe rezulton i zhdukur.

Në vendngjarje po kryhen kërkime intensive nga polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit për gjetjen e 30-vjeçarit.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit