Ka vazhduar evakuimi i banorëve të rrugës “Prilepska” të Kërçovës, duke arritur numri i tyre në 120. Sipas njoftimit të Qendrës së Menaxhimit të Krizave personat e evakuuar mbeten të strehuar në sallën sportive “Hristo Uzunov”. Ndërsa bëjnë me dije se gjatë ditës së shtunë do të bëhet inspektimi i objekteve të dëmtuara.
Ndërkaq, gjendja me përmbytjet vazhdon të jetë kritike në disa lokacione, përshkak të daljes së lumenjve nga shtrati. Njoftojnë se janë përmbytur lagje, shtëpi, bodrume shtëpish, oborre shtëpish, sipërfaqe bujqësore, ndërsa theksojnë se po intervenohet me mekanizma të rëndë dhe me pompa po kryhet nxjerrja e ujit nga bodrumet, oborret dhe objektet afariste.
QENDRA E MENAXHIMIT ME KRIZA
“Në Koçan ka dalë nga shtrati lumi Koçanska, lumi Zërnovska, lumi Orizarska. Në Probishtip, ka dalë lumi Kiselica. Në Ohër, lumi Dalja. Në Krushevë dhe Demir Hisar, lumi Cërna dhe lumi Obedniçica. Në Komunën e Zhelinës është raportuar dalje nga shtrati e lumit Vardar”.
Po ashtu kanë bërë me dije se në zonën e Tetovës janë raportuar rrëshqitje dheu në rrugët lokale drejt fshatit Gjermë dhe në lokalitetin Banjë, të cilat aktualisht janë të pakalueshme. Kurse në Reçicë të Vogel është raportuar shembje e një muri mbajtës, me ç’rast është shkaktuar dëm material.
Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike kanë njoftuar se gjatë fundjavës priten reshje të reja, të cilat në male dhe në vende më të larta do të jenë të borës, ndërsa në pjesët tjera diku do të ketë borë e diku shi.



