Osmani: Institucionet në koordinim të plotë për menaxhimin e situatës nga vërshimet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar institucionet dhe qytetarët për reagimin e shpejtë dhe të përgjegjshëm ndaj reshjeve të dendura dhe vërshimeve që kanë përfshirë disa zona të vendit.

Në një reagim publik, Osmani bëri të ditur se gjatë ditës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura, të cilët, sipas saj, po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë me institucionet qendrore.

Ajo theksoi se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave është duke punuar pa ndërprerë së bashku me organet e rendit, ndërsa falënderoi edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e saj të plotë për të ofruar mbështetje të menjëhershme, përfshirë kapacitetet njerëzore dhe logjistike.

“Sytuata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente,” ka thënë Osmani, duke shtuar se bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate.

Presidentja nënvizoi se mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve mbetet prioritet absolut i institucioneve në këtë situatë emergjente./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit