Pak kohë më parë, ndërsa po flisja para Akademisë së Spanjës në Romë, një zonjë duke ujdisur telekamerën ma përplasi në fytyrë një dritë verbuese e s’po më linte të lexoja dot shënimet. Iu ktheva shumë i lënduar, sikurse më ka ndodhur edhe me fotografë të tjerë të pasjellshëm, duke i thënë se rregullat e ndarjes së punëve na mësojnë se kur unë jam duke punuar të tjerët duhet ta lënë punën.
Dhe zonja e fiku telekamerën, por mori pamjen e njeriut që i bien më qafë kot. Në San Leo, bash javën që shkoi, ndërsa po shpallej një nismë shumë e bukur e komunës për rivlerësimin e peizazheve të vendit në pikturat e Piero della Franceskës, tre veta po më verbonin me flash-et e tyre, ndaj m’u desh t’u kujtoja rregullat e edukatës së mirë. Dukej se në të dy rastet verbuesit nuk ishin tipa nga ata që futen në “Big Brother”, por, me gjasë, njerëz të mësuar dhe që vijnë me dëshirë në veprimtari të tilla për të ndjekur diskutime në një fushë të dijes.
Gjithsesi, është e qartë se sindroma e syrit elektronik i uli ata nën nivelin që mbase aspironin ngaqë, praktikisht të çinteresuar për çka po thuhej, donin vetëm ta regjistronin ngjarjen, qoftë edhe për ta vënë pastaj në YouTube. Nuk donin të kuptonin për çfarë po flitej, ngase atë që mund ta kishin rrokur përmes shqisave, mëtonin vetëm ta ruanin në kujtesën e telefonit celular. Gjithëprania e syrit mekanik në vend të trurit më ngjan se ka ndryshuar mendërisht edhe njerëz përndryshe të qytetëruar.
Nga veprimtaria ku qëllon të marrin pjesë, ata largohen duke marrë me vete ndonjë imazh, por pa kuptuar asgjë se ç’u tha e se ç’u bë (dhe do t’i kisha mirëkuptuar nëse do të isha ndonjë kërcimtar nudist). Sikundër e marr me mend, teksa i bien botës rrotull duke fotografuar çfarë u sheh syri, ata janë të dënuar që të nesërmen ta harrojnë ç’mundën të shohin një ditë më parë. Në disa raste kam rrëfyer se ç’më ndodhi në Francë më 1960-n, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive. Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë.



