Për Bekim Hotin, fjalët e njerëzve shpesh kanë pasur një peshë të veçantë emocionale. Ai tregon se komplimenti që e ka prekur më së shumti ka qenë një përshëndetje e thjeshtë, por me domethënie të thellë historike.
“Komplimenti më i mirë që kam marrë ka qenë kur më kanë thënë: ‘Përshëndetje baca Adem’”. Pikërisht këto momente, sipas tij, përfaqësojnë vlerësimin më të madh personal. “Kjo është krenaria më e madhe në jetën time”, thekson ai.
Përtej simbolikës, Hoti shpreh edhe aspirata konkrete për të ardhmen e tij. Dëshira për t’i shërbyer vendit në mënyrë aktive, veçanërisht në fushën e sigurisë, ka qenë dhe mbetet e pranishme.
“Gjithmonë kam pasur dëshirë të jem pjesë e FSK-së dhe kjo dëshirë ende ekziston”, thotë ai, duke shtuar se angazhimi ndaj atdheut është i pandryshueshëm: “Gjithmonë kam qenë dhe jam i gatshëm t’i shërbej atdheut në çdo formë, e sidomos në fushën e sigurisë”, shprehet ai.
Sipas Bekim Hotit, inspirimi kryesor për këtë qëndrim buron nga historia dhe sakrifica e familjes Jashari.
“Sakrifica, vepra dhe rënia heroike për atdhe e Adem Jasharit dhe familjes së tij më kanë shtyrë që të jem sinonim i këtij burri të madh të kombit tonë”, shton ai.
Duke folur për të ardhmen, Hoti thekson se synimet e tij lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien e vendit.
“Në të ardhmen synoj dhe dëshiroj më të mirën për vendin dhe atdheun tim”, thotë ai./Front Online



