Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve vazhdon gjykimi për rastin në diskotekën “Puls”

Në Gjykatën në Idrizovë pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup sot vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan. Në seancën e sotme është paraparë dëshmia e përfaqësuesve ligjorë të palëve të dëmtuara në rastin në fjalë.

Të gjithë të akuzuarit deklaruan në fillim të gjyqit se nuk ndihen fajtorë për tragjedinë në të cilën vdiqën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Disa prej tyre shprehën ngushëllime për familjet e viktimave, por mbetën të qëndrimit se nuk kanë kryer “akte të rënda kundër sigurisë publike”.

Shumica e të akuzuarve, nëpërmjet avokatëve të tyre, kanë kontestuar bazën e aktakuzës. Ekipet e tyre mbrojtëse pretendojnë se të akuzuarit nuk ndërmorën asnjë veprim që mund të kishte çuar në zjarr, se ata posedonin dokumentacion të vlefshëm dhe se tragjedia ishte rezultat i dështimeve institucionale, jo i fajit individual. Ekipi mbrojtës paralajmëroi paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve që, sipas mendimit të tyre, do ta konfirmojnë këtë tezë.

Më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit “DNK” në diskotekën “Puls” në Koçan, shpërtheu zjarr në të cilin e humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Në objekt kishte më shumë vizitorë se numri i lejuar, në mesin e të cilëve edhe të mitur, ndërsa pajisjet piroteknike ishin të aktivizuara pa leje. Objekti kishte funksionuar në mënyrë të paligjshme për më shumë se një dekadë, pa kushte minimale teknike, me rikonstruksione pa leje dhe pa sistem mbrojtjeje nga zjarri.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit