Vazhdojnë akuzat e LSDM-së ndaj pushtetit se po përpiqen ta shkatërrojnë partinë nga brenda përmes Jovan Despotovskit. Në njoftimin e fundit thonë se të gjitha përpjekjet do të pengohen, duke theksuar se, Despotovski dje nuk u mundua as të mohojë bashkëpunimin me VMRO-DPMNE.
“Veprimet e LSDM-së i detyruan të aktivizojnë para kohe këtë plan. VMRO mendoi se do të na dobësonte dhe do të na heshtte, por u mashtruan. Përpjekja e parë për destabilizim u zbulua plotësisht dhe dështoi. Tani jemi më të fortë. Tani të gjithë e kanë të qartë kush sillte trazira në radhët tona, ishte VMRO, dhe të gjithë e kanë të qartë se përpjekjet për rrëzimin e LSDM-së do të pengohen”, njoftojnë nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE thonë se deklaratat e LSDM-së për përpjekjen për shkatërrimin e brendshëm të partisë janë probleme të tyre të brendshme
“Këto janë probleme të brendshme të LSDM-së, përndryshe nuk do të donim t’i komentojmë ato përplasje mes Despotovskit dhe LSDM-së. E dini, LSDM është parti që ka shumë probleme të mëdha, prandaj duhet t’i zgjidhë vetë”, deklaroi Valentin Manasievski – anëtar i komitetit qendror të VMRO-DPMNE.
Nga VMRO dje akuzuan ish kreun e LSDM-së Zoran Zaev se ndërton një objekt 42 katësh në Dubai dhe se kreu aktual i partisë ka vizë të artë të Dubait.



