Nga pazaret te akuzat: kush po e mashtron opinionin publik?
Deklaratat e fundit të z. Mendi Qyra përbëjnë një përpjekje të qartë për të relativizuar dhe fshehur të vërtetën politike përmes akuzave selektive.
Për hir të transparencës ndaj qytetarëve të Strugës, jemi të detyruar të sqarojmë disa fakte të pamohueshme;
Së pari, Lista Merko të cilës sot i referoheni se gjoja qenka në koordinim me ne për të paralizuar punën e Këshillit, publikisht ka mbështetur kandidaturën tuaj z. Qyra, bashkë me z. Ramiz Merko, i cili për media deklaroi qartë se nuk e mbështet kandidatin e AKI-së. Këto janë fakte publike dhe të dokumentuara, të cilat nuk mund të fshihen sot me retorikë të re politike.
Së dyti, propozimi i AKI-së për Kryetar të Këshillit Komunal nuk u mbështet me 4 vota, ku përfshihen votat e vLEN, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, Levicës dhe Listës Merko. Pra, nuk ka pasur mungesë vullneti institucional nga ana jonë, por një bashkërendim i qartë politik nga ana juaj për ta rrëzuar propozimin tonë.
Bllokimi institucional nuk është krijuar nga AKI, por është produkt i drejtpërdrejtë i pazareve politike që disa subjekte kanë zhvilluar mes vete, larg syrit të opinionit publik. Në ditë të caktuara është funksionuar në koordinim të plotë vetëm për të rrëzuar propozimet e AKI-së, çka dëshmon qartë se problemi nuk ka qenë funksionimi i Këshillit, por frika nga propozime që nuk kontrolloheshin prej tyre.
Po ashtu, është për tu habitur fakti se si nuk (guxoni) theksoni faktin se seancën e kaluar ishin këshilltarët e VMRO-DPMNE-së ata që e lëshuan seancën, duke tentuar ta paralizojnë punën e Këshillit. Në kontrast të plotë me këtë qasje, ne këshilltarët e AKI-së qëndruam në seancë dhe votuam PRO zgjerimit të buxhetit, duke treguar përgjegjësi institucionale dhe duke vendosur interesin e qytetarëve mbi kalkulimet politike.
Gjatë fushatës zgjedhore, z. Mendi Qyra është distancuar publikisht nga AKI, ndërsa sot tenton të paraqitet si faktor uniteti. Qëndrimet politike nuk ndërrohen sipas nevojës së ditës dhe as sipas interesit momental.
AKI nuk ka hyrë dhe nuk do të hyjë në pazare të errëta politike në dëm të qytetarëve.
Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet i pandryshuar: respektim i procedurave, transparencë, barazi dhe dinjitet institucional.
Ne do të vazhdojmë të mbështesim çdo pikë të rendit të ditës që është realisht në interes të qytetarëve të Strugës, por kurrsesi nuk do të bëhemi pjesë e marrëveshjeve të fshehta politike që dëmtojnë besimin publik dhe funksionimin institucional.
Çdo përpjekje për ta zhvendosur fajin nga ata që realisht e kanë krijuar këtë ngërç institucional është e kotë. Qytetarët e dinë mirë kush ka vepruar me përgjegjësi dhe kush ka zgjedhur pazarin në vend të parimit.
Pazare në prapaskenë, moral në konferencë për shtyp, nuk kalon z.Qyra!
Grupi i Këshilltarëve të AKI-së





