Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka reaguar ashpër ndaj ndotjes serioze të ajrit që ka përfshirë qytetin ditët e fundit, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë tolerancë për ndotësit.
Sipas të dhënave zyrtare nga monitorimi shtetëror, niveli i ndotjes ka tejkaluar pragun e lejuar, duke kërkuar reagim të menjëhershëm institucional. Gjorgjievski deklaron se si kryetar i qytetit, por edhe si qytetar që frymon të njëjtin ajër me familjen e tij dhe me të gjithë qytetarët, ka vepruar pa hezitim.
Gjatë dy ditëve të fundit janë realizuar kontrolle të shtuara dhe të koordinuara në terren, ku Inspektorati për Mjedisin Jetësor ka shqiptuar gjobat e para ndaj subjekteve juridike ndotëse, duke dërguar mesazhin se ligji vlen për të gjithë.
“Kjo nuk do të ndalet këtu. Do të vazhdojmë edhe më fuqishëm dhe më vendosmërisht. Kushdo që rrezikon shëndetin e qytetarëve do të sanksionohet, pa asnjë gram tolerance”, thekson Gjorgjievski.
Ai nënvizoi se shëndeti nuk është temë kompromisi, as për institucionet, as për qytetarët, e sidomos për fëmijët.
Paralelisht me masat ndëshkuese, Qyteti i Shkupit ka publikuar edhe rekomandime dhe masa mbrojtëse për qytetarët, të cilat tashmë janë në zbatim dhe konsiderohen pjesë e rëndësishme e betejës për ajër më të pastër.
Gjorgjievski përshëndeti gjithashtu angazhimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në luftën kundër ndotjes, duke përmendur strategjinë për ajër të pastër 2024–2030, subvencionet për klima inverter, pastrues ajri në çerdhe, pyllëzimin masiv, gazifikimin, ndërtimin e dy qendrave kogjenerative dhe parqet e reja me pastrues ajri të integruar.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat dhe të raportojnë ndotësit potencialë, duke theksuar se beteja për ajër të pastër është përgjegjësi e përbashkët.
Qytetarët mund të paraqesin ndotësit në emailin:
[email protected]
Mesazhi është i qartë: në Shkup, rregull duhet të ketë, ligji do të zbatohet dhe shëndeti i qytetarëve do të jetë prioritet absolut.





