2.8 C
Skopje
Tuesday, December 23, 2025

Si ndikon në shëndetin tuaj edhe gjumi me sa më pak dritë

Një studim i fundit mbi rreth 90,000 pjesëmarrës nga UK Biobank ka zbuluar se ekspozimi ndaj dritës gjatë natës mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës dhe çrregullime metabolike. Studiuesit përdorën të dhëna minutë pas minute nga byzylykët me sensorë drite, duke regjistruar sa dritë merrte secili pjesëmarrës gjatë gjumit dhe ditës.

Rezultatet treguan se njerëzit që kalonin netët me dritë të ndritshme – për shembull nga televizori ose ora inteligjente – kishin më shumë gjasa të zhvillonin fibrilacion atrial, goditje në tru, hipertension dhe diabet, krahasuar me ata që flinin në errësirë të plotë. Rreziku ishte i lartë edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë shëndetësorë, si indeksin e masës trupore apo gjendja e paradiabetit.

Ekspertët shpjegojnë se drita natën mund të prishë ritmet cirkadiane, duke penguar prodhimin e melatoninës dhe duke mbajtur trupin në një gjendje vigjilence të vazhdueshme. Një eksperiment laboratorik me vullnetarë të rinj tregoi se ata që flinin në dritë më të ndritshme kishin rrahje zemre të larta dhe metabolizëm më të ngadaltë të glukozës, duke sugjeruar stres shtesë për trupin.

Shkencëtarët rekomandojnë përdorimin e maskave për sy, perdeve të errëta ose zvogëlimin e burimeve të dritës gjatë natës për të mbrojtur shëndetin e zemrës dhe metabolizmin.

Siç thekson Angus Burns, një nga autorët e studimit: “Ndriçimi elektrik është krejtësisht i panatyrshëm për biologjinë tonë. Trupi ynë evoluoi duke u bazuar në ciklin natë-ditë, dhe ekspozimi ndaj dritës natën mund të ketë pasoja serioze për shëndetin.”

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit