Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por një vendim i tillë duhet të jetë rezultat i marrëveshjes së përbashkët mes punëtorëve dhe punëdhënësve, përmes dialogut social dhe në përputhje me mundësitë reale ekonomike. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski pas mbledhjes së sotme të Këshillit Ekonomik-Social.
Sipas Mickoskit, mbledhja e sotme dëshmon përkushtimin e përbashkët të të gjitha palëve që çështjet kyçe ekonomike dhe sociale të zgjidhen përmes dialogut, partneritetit dhe përgjegjësisë së ndërsjellë.
“Ky Këshill nuk është një formalitet, por themel i kohezionit social dhe stabilitetit në shtet. Është vendi ku interesat e punëtorëve, punëdhënësve dhe Qeverisë takohen për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe të drejtë”, theksoi Mickoski.
Kryeministri nënvizoi se synimi i Qeverisë është ndërtimi i një ekonomie më të fortë, që krijon vende të reja pune dhe siguron standard dinjitoz jetese për çdo qytetar.
“Rritja ekonomike duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e drejtë. Përfitimet duhet t’i ndiejnë punëtorët, por njëkohësisht të sigurohet stabilitet dhe konkurrueshmëri për kompanitë. Në këtë kontekst, çështja e pagës minimale është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e ndjeshme”, tha ai.
Mickoski theksoi qartë se Qeveria mbështet rritjen e pagave, por është kundër zgjidhjeve të imponuara.
“Nuk jam për vendime të imponuara. Rritja e pagës minimale duhet të vijë si rezultat i marrëveshjes mes palëve dhe të jetë në harmoni me kapacitetet e ekonomisë. Viti i ardhshëm do të jetë vit i betejës për një standard më të mirë jetese”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se rritja e qëndrueshme e pagave nuk arrihet me vendime administrative të shpejta, por përmes rritjes së produktivitetit, mbështetjes për bizneset, investimeve në teknologji, inovacion dhe kapital njerëzor.
Në fund, Mickoski theksoi se Qeveria do të mbetet partner aktiv dhe i përgjegjshëm në këtë proces.
“Do të mbështesim çdo zgjidhje që është e drejtë, e qëndrueshme ekonomikisht dhe e arritur me konsensus. Qëllimi ynë nuk është përfitimi politik afatshkurtër, por stabiliteti afatgjatë dhe një ekonomi që i përballon sfidat moderne”, përfundoi Mickoski.






