Në Kongresin e V-të të Bashkimit Demokratik për Integrim u miratua Statuti i ri i partisë si dhe një sërë rezolutash që, sipas drejtuesve të BDI-së, janë të rëndësishme për funksionimin e brendshëm të partisë, stabilitetin politik dhe integrimin e shtetit.
Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, njoftoi se në këtë Kongres ka marrë besimin e kryetarit Ali Ahmeti dhe të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për t’u emëruar në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë.
Ademi uroi kryetarin Ali Ahmeti për mandatin e ri në krye të BDI-së, duke i dëshiruar suksese në drejtimin e proceseve që, sipas tij, janë me rëndësi për shqiptarët dhe për shtetin në tërësi. Ai po ashtu uroi edhe të gjithë kolegët e zgjedhur në organet partiake, duke iu dëshiruar shëndet dhe sukses në angazhimet e tyre.
Në deklaratën e tij, Ademi theksoi se përgjegjësinë e re e pranon me nder, përulësi dhe gatishmëri për të punuar më intensivisht në forcimin dhe avancimin e mëtejshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ai falënderoi gjithashtu Fatonin për kontributin e dhënë gjatë mandatit të tij si Sekretar i Përgjithshëm, duke vlerësuar angazhimin e tij në shërbim të partisë dhe vizionit të saj, si dhe e uroi për detyrën e re të Nënkryetarit të BDI-së. (INA)





