0.8 C
Skopje
Sunday, December 21, 2025

Lënda për zjarrin në spitalin modular pa epilog

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta zvarisë hetimin e dytë për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona, shkruan Portalb.mk. Pavarësisht se kanë kaluar mbi dy vite që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ende nuk ka vendim dhe nuk është ngritur aktakuzë.

Nga Prokuroria Publike tani nuk tregojnë se në çfarë faze është ky rast dhe kur pritet të ketë vendim, ndërsa vazhdimisht janë arsyetuar se rasti po hetohet.

Pasi fajtorët e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës nuk u sollën para drejtësisë dhe nuk pati proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit, Ibin Emshi i cili humbi babain dhe vëllaun e tij, më 1 dhjetor 2025, Emshi si shtetas i Italisë ka bërë denoncim për vrasje në Selinë e Policisë në Verbano Cusio Ossola për zjarrin në modular. Përveç denoncimit në Polici, Emshi ka paraqitur kërkesë që ky rast të trajtohet edhe nga Avokati i Popullit – Këshilli Rajonal i Piemontes në Itali.

Ai pret që rasti të hetohet ndërkombtarisht dhe të arrijë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Portalb.mk ka kontaktuar të dy institucionet italiane të lartpërmendura se si do vijojë më tej ky rast, megjithatë nuk kemi marrë përgjigje.

Kujtojmë që në maj 2025 Gjykata e Tetovës e shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast i cili nuk ishte për shkaqet e zjarrit, ku me 1 vit e 6 muaj burg u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë.

Për dallim prej akgjykimit të parë kur dënimi po ashtu ishte me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, kësaj here dënimi është pa kusht.

Të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.

Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Rasti ishte në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu një pjesë të lëndës në Gjykatën Themelore në Tetovë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit