-0.2 C
Skopje
Saturday, December 20, 2025

Anketa e IPIS: Ja si renditen partitë dhe liderët e tyre në Maqedoni

Nëse javën e ardhshme do të mbaheshin zgjedhje parlamentare, për partinë në pushtet VMRO-DPMNE do të votonin 26 për qind e qytetarëve, ndërsa për opozitën LSDM 9,8 për qind. Tek partitë shqiptare 8.9 % për BDI dhe 8.2 % për VLEN.

Besimin më të madh nga politikanët qytetarët e kanë te kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ndërsa tek blloku shqiptar dhe si politikan i dytë në rang vendi radhitet Ali Ali Ahmeti.

Këto janë rezultatet e hulumtimit të publikuar sot nga Instituti për Hulumtime Politike (IPIS) me titull “Perceptimi i qytetarëve për rejtingun e partive dhe politikanëve”.

Hulumtimi është realizuar përmes anketës telefonike në periudhën 15–18 dhjetor të këtij viti, me 1.114 të anketuar të rritur në nivel shtetëror.

Në pyetjen “Për cilën parti do të votonit nëse javën e ardhshme do të mbaheshin zgjedhje parlamentare?”, 26 për qind e të anketuarve janë shprehur se do të votonin për VMRO-DPMNE, 9,8 për qind për LSDM-në opozitare, 8,9 për qind për Koalicionin BDI, 8,2 për qind për Koalicionin VLEN, 5,9 për qind për Levicën, 3,9 për qind për ZNAM, ndërsa 1,7 për qind për ndonjë parti tjetër.
13,1 për qind kanë deklaruar se nuk do të votonin për asnjë parti, 11 për qind nuk kanë dashur të përgjigjen, ndërsa 11,7 për qind kanë thënë se nuk e dinë ose nuk kanë përgjigje.

Sipas anketës, në pyetjen “Te cili politikan keni besimin më të madh?”, 27,3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur Hristijan Mickoski, ndërsa 25,5 për qind kanë deklaruar – te askush. 9,5 për qind nuk e dinë ose nuk kanë përgjigje.

9 për qind e qytetarëve kanë më së shumti besim te lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, 5,1 për qind te kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, 5 për qind te Dimitar Apasiev nga Levica, 3,8 për qind te Maksim Dimitrievski.

Më pas vijojnë: Izet Mexhiti me 3,5 për qind, Bilall Kasami me 2,8 për qind, Afrim Gashi me 2,3 për qind, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova me 2,1 për qind, ish-presidenti Stevo Pendarovski me 1,3 për qind dhe ish-kryeministri Nikola Gruevski me 1,1 për qind.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit