Mbi 25 për qind e konsumit bruto përfundimtar të energjisë në Bashkimin Evropian gjatë vitit të kaluar ka ardhur nga burime të rinovueshme, një rritje prej 0,7 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, BE-ja është ende 17,3 pikë përqindjeje larg objektivit për vitin 2030, që parashikon 42,5 për qind energji nga burime të rinovueshme.
Në Maqedoninë e Veriut, energjia nga burimet e rinovueshme ka përbërë 21,8 për qind të konsumit total të energjisë në vitin 2024, që është rritje prej 1,6 për qind krahasuar me vitin paraprak. Një rritje edhe më e theksuar është shënuar te energjia elektrike: 40 për qind e energjisë së konsumuar është prodhuar nga burime të rinovueshme, krahasuar me 32 për qind në vitin 2023. Ky trend dëshmon rritje të vazhdueshme në dy dekadat e fundit.

Në Ballkanin Perëndimor, sipas të dhënave të Eurostatit, Shqipëria dhe Mali i Zi kryesojnë për nga përdorimi i energjisë së rinovueshme në konsumin total, me përkatësisht 43,1 për qind dhe 40,8 për qind. Pas tyre renditen Kroacia (26,7%), Serbia (25,8%), Greqia (25,3%) dhe Bullgaria (23,2%).
Sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, Shqipëria, si dhe vendet e EFTA-s Norvegjia dhe Islanda, kanë prodhuar më shumë energji elektrike nga burime të rinovueshme sesa kanë konsumuar gjatë vitit 2024, falë prodhimit të lartë hidroenergjetik.

Në nivel evropian, zgjerimi i energjisë së erës dhe asaj diellore mbetet motori kryesor i rritjes së energjisë së rinovueshme. Në vitin 2024, këto burime kanë përbërë pothuajse gjysmën e konsumit bruto të energjisë elektrike në BE.
Të dhënat tregojnë se edhe pse Maqedonia e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po shënojnë progres të dukshëm, nevojiten investime të mëtejshme dhe politika më të forta për t’u afruar me standardet dhe objektivat energjetike të Bashkimit Evropian.





