Dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil të SHBA-së u vranë në Siri gjatë një prite të armatosur në qytetin Palmyra, në qendër të vendit. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, sulmi u krye nga një militant i Shtetit Islamik, i cili u vra gjatë përplashjes. Tre ushtarë të tjerë amerikanë mbetën të plagosur, ndërsa media shtetërore siriane raportoi se edhe dy pjesëtarë të forcave siriane të sigurisë u plagosën. Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi ngjarjen si një sulm të ISIS-it dhe paralajmëroi një kundërpërgjigje të fortë. Sulmi u dënua gjithashtu nga qeveria siriane dhe zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët theksuan angazhimin për vazhdimin e luftës kundër terrorizmit.
“Pra, ne vajtojmë humbjen e tre patriotëve të mëdhenj në Siri. Ishte një pritë, e tmerrshme. Kemi edhe tre të plagosur të cilët duket se po ia dalin mjaft mirë. Por ne vajtojmë humbjen. Siria, meqë ra fjala, po luftonte përkrah nesh. Presidenti, presidenti i ri i Sirisë është, siç më thanë, dhe nuk jam i befasuar, ai është i shkatërruar nga ajo që ndodhi. Ky ishte një sulm i ISIS-it ndaj nesh dhe Sirisë. Do ta shihni. Ne do të hakmerremi”, tha Donald Tramp, President i SHBA-së.





