Kosova ka nisur zyrtarisht ndihmat humanitare për popullin e Gazës nga porti i Mersinit në Turqi, transmeton Anadolu.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi për nisjen zyrtare të ndihmave, tha se vendimi për ndihmat u mor në janar të vitit 2025 nga Qeveria e Kosovës.
“Ndihma humanitare e Kosovës për popullin e Gazës është nisur zyrtarisht nga porti i Mersinit në Turqi. Ndihma përfshin tenda, furnizime ushqimore, batanije dhe 158 mijë vakte të ngrohta për civilët në nevojë. Edhe pse vendimi u mor në janar, zbatimi i tij u bë i mundur pas marrëveshjes së fundit të paqes të udhëhequr nga presidenti Donald Trump”, shkroi Kurti.
Kurti tha se këto ndihma pasqyrojnë angazhimin e Kosovës për solidaritet ndërkombëtar dhe shpresën për të lehtësuar vuajtjet dhe për të mbështetur përpjekjet drejt paqes dhe sigurisë.
“Ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin e tyre të ngushtë në bërjen të mundur të këtij operacioni humanitar”, shtoi Kurti.
Qeveria e Kosovës mori vendim me 31 janar 2025 që të ndajë 500 mijë euro për ndihma humanitare në Gaza.





