Dita e bukur me diell, ishte një arsye më shumë për emocionin dhe buzëqeshjet e nxënësve të klasës së IV të Shkollës Fillore “Vëllezërit Milladinoci”, të cilët sot realizuan një vizitë të veçantë në Komunën e Strugës.
Gjatë vizitës, ata u pritën nga kryetari i komunës, i cili iu shpjegoi nga afër se si funksionon institucioni lokal, si merren vendimet dhe si realizohen projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.


Takimi u shndërrua në një bisedë të gjallë, ku fëmijët parashtruan pyetje të shumta dhe mjaft kreative. Ato varionin nga ndërtimi i këndeve të reja të lojërave, fushave sportive dhe hapësirave të gjelbra, e deri te përmirësimi i kushteve në shkolla. Interesi i tyre për zhvillimin e qytetit dhe mirëqenien e bashkëmoshatarëve u vlerësua nga kryetari, i cili theksoi se zëri i fëmijëve është i rëndësishëm dhe se ide të tilla ndihmojnë në planifikimin e të ardhmes së Strugës.
Vizita u mbyll me një atmosferë pozitive dhe shumë frymëzuese, duke i dhënë fëmijëve një përvojë të re mbi mënyrën se si funksionon komuna dhe duke i inkurajuar që në të ardhmen të jenë qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm.



