“Qyteti i sigurt” do të fillojë të funksionojë nga 1 shkurti i vitit 2026 në territorin e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës, si dhe përgjatë korridoreve 8 dhe 10, konfirmoi MPB për MIA-n.
Për kundërvajtjet e regjistruara përmes sistemit “Qyteti i sigurt”, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) pronarit të veturës me të cilën është bërë kundërvajtja në komunikacion i dërgon SMS porosi dhe e-porosi të kontakteve të dhëna gjatë regjistrimit. Në porosi do të ketë link për marrjen e procesverbalit për kundërvajtje dhe urdhërpagesën për kundërvajtje.
Nëse kryerësi e pranon përgjegjësinë dhe e paguan gjobën në afat prej tetë ditëve nga pranimi i procesverbalit, do të paguajë gjysmën e gjobës së shqiptuar. Pas skadimit të këtij afati, gjoba mund të paguhet në tërësi më së voni në tetë ditët e ardhshme, para se të fillojë procedura për pagesë të detyrueshme. Në rast të pagesës me kohë, mbulohen edhe shpenzimet për gjithë procedurën.
Të huajt, si dhe shtetasit të cilët shkojnë jashtë vendit dhe mund ta shmangin pagesën, janë të detyruar ta paguajnë gjobën menjëherë, më së voni në afat prej tetë ditëve nga pranimi i procesverbalit. Nëse gjoba nuk paguhet, MPB e dorëzon te organi kompetent për pagesë të detyrueshme. Për kundërvajtje ku përveç gjobës është paraparë edhe ndalesë për drejtim me automjet motorik, ndërsa gjoba është paguar me kohë, MPB do të parashtrojë kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse në gjykatë.
Pagesa e gjobave mund të bëhet përmes linkut të marrë me njoftimin. Në fletëpagesë automatikisht vendosen numri i procesverbalit dhe vlera e gjobës në denarë. Pas kryerjes së pagesës, MPB menjëherë merr njoftim elektronik për pagesën.
Në fillim të periudhës së provës së “Qyteti i sigurt” kryeministri Hristijan Mickoski tha se e mbështet zbatimin e tij si dhe zgjerimin e tij në gjithë territorin e vendit dhe se është i gatshëm të përballet me çfarëdo lloj kritika dhe goditje politike nëse ai sistem shpëton madje edhe një jetë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski theksoi se askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia dhe të mos përsëritet statistika e zezë nga viti 2024 me 142 viktima në aksidente në komunikacion.
Vetëm në 12 orët e para nga fillimi i “Qyteti i sigurt” më 1 dhjetor ishin regjistruar 65.000 kundërvajtje prej të cilave kalim në semafor të kuq 2800 dhe automobil i paregjistruar 1000.






