Nevzat Bejta do të jetë kandidat për kryetar të Gostivarit, mëson TV21. Ai ka qenë kryetar në dy mandate, ndërsa në zgjedhjet e 11 janarit të vitit 2025 do të kërkojë mandatin e tretë. Siç mëson TV21 ai do të garojë nën logon e koalicionit VLEN.
Bejta pritet që gjatë ditës së nesërme ta dorëzojë kandidaturën në KSHZ. Siç dihet në raundin e parë të zgjedhjeve lokale votimi në Gostivar nuk arriti censusin.
“Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Gostivarit për zgjedhjet e përsëritura që do të mbahen më 11 janar 2026. Pas dorëzimit të dokumenteve, Limani deklaroi se pret zgjedhje të ndershme, fer dhe demokratike, ku – siç tha ai – qytetarët do ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik”, njoftuan nga kabineti i Valbon Limanit.
Përkujtojmë që afati për dorëzimin e kandidaturave do të përfundojë të enjten.
Në xhiron e parë në Gostivar kanë votuar 27 609 qytetarë nga 82 893 qytetarë sa kanë pasur të drejtë vote, apo 33.31 përqind e votuesve. Më këtë nuk kaloi kushti i pjesëmarrjes prej 1/3 e votuesve (33.33 %), pasi mungojnë edhe rreth 20 vota.
Në rundin e parë i pari doli Valbon Limani nga AKi me 61.39 përqind të votave, ndërsa në Vrapçisht ishte Isen Shabani nga AKI me 88.13 përqind, por aty dalja e votuesve ishte vetëm 25.18 përqind.
Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Kutitë e votimit u hapën në ora 07.00 dhe u mbyllën në ora 19:00. Zgjedhjet lokale të këtij viti janë të parat në të të cilat reflektohen ndryshimet demografike të shfaqura nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021.






