REAGIM VLEN: Hipokrizia e BDI-së është plagë e hapur për arsimin shqiptar!
Koalicioni VLEN kundërshton me ashpërsi reagimin e sotëm të BDI-së për librin e Gjeografisë, duke e cilësuar atë si një lojë të vonuar dhe të paturpshme. Nuk ka asnjë moral që BDI të flasë për gabime në tekstet shkollore, kur për 15 vite me radhë ka mbajtur Ministrinë e Arsimit dhe ka lejuar që gjenerata të tëra të rriten me shtrembërime, me fyerje dhe me mohime të identitetit shqiptar.
Ky është i njëjti subjekt që në kohën e tij: lejoi botimin e Enciklopedisë famëkeqe, ku shqiptarët u paraqitën me përmbajtje fyese dhe denigruese, toleroi që nxënësit shqiptarë në Veles të mos mësojnë në gjuhën shqipe, miratoi tekste me përmbajtje fyese për prejardhjen e shqiptarëve, duke e lënë arsimin peng të narrativave të huaja.
Duam të njoftojmë opinionin se zëvendësministri i arsimit Lulzim Aliu, ka kërkuar verifikim të menjëhershëm dhe korrigjim pa vonesë të gabimeve, duke treguar se përgjegjësia institucionale është standardi ynë, jo vasaliteti politik i BDI-së.
VLEN kërkon korrigjimin e përmbajtjes sipas standardeve shkencore dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike për ata që për vite kanë lejuar shtrembërime të tilla.
Gjeneratat e reja meritojnë tekste të sakta dhe dinjitoze, jo narrativat e shtrembëruara që BDI ka toleruar ndër vite.






