7.8 C
Skopje
Monday, December 8, 2025

Objektet e braktisura në zemër të Kumanovës, hotele e restorante janë shndërruar në gërmadhë dhe deponi

Në qendër të Kumanovës ndodhen godina të braktisura – ish-hoteli Kristal dhe disa restorante – të cilat janë shndërruar në deponi dhe hapësira për narkomanë. Qytetarët thonë se objektet janë të lëna pas dore prej dekadash dhe nuk përfaqësojnë qytetin. Disa janë privatizuar dhe pjesë e tyre janë shitur nga kreditorët, por megjithatë mbeten të shkatërruara dhe pa funksion.

Qytetarët thonë se këto objekte janë të braktisura në tre dekadat e fundit. Shtojnë se përveç objekteve gastronomike në shesh ka edhe shumë ish-fabrika të privatizuara dhe të përdorura për qëllime tjera.

“Nuk i ngjanë, por ja dikur këtu ka pasur ambiente verore me muzikë ‘live’, më tej ishte ‘Cuba’. Kjo fabrika ‘Monopol’ kanë pas punuar të afërmit e mi 2-3 gjenerata dhe kjo është e tëra. Tani i vetmi vend me aq sa di unë, mbase gabohem por Zvicra kësi objekte të vjetra për shembull i bën muze të duhanit, apo diçka të tillë. Por, në vendet tona kështu kanë mbetur të zbrazëta për dallim nga ata, ne kemi akoma më shumë objekte të tilla.”

“Askush nuk kujdeset, ja këtu afër janë gjykata, prokuroria, policia, komuna e gjitha, por e kanë demoluar tërën me dyer e dritare e kanë bërë katastrofë. Aty askush nuk ka marrë masa për të treguar se çfarë u bë më këtë objekt të ‘Hotel Kristalit’ dhe për ti ndërprerë plaçkitjet që i kanë bërë dhe që e kanë demoluar tërë këtë objekt. Përse të mos riparohet e ndërtohen banesa për njerëzit që janë pa strehë dhe njerëzit që nuk kanë kushte?”

“Jo aspak nuk i ka hije qytetit, sikur të ketë rënë bomba atomike në mes të sheshit! A ka edhe objekte të tjera të braktisura? Ja, ai në cep që është restorant i vjetër dhe pak më lart ‘Lovac’ poashtu i braktisur. Përse janë lënë ashtu? Ku ta di unë, duhet ti pyesim ata që udhëheqin!”

Sipas autoriteteve këto objekte ishin në falimentim, dhe një pjesë e aseteve SH.A. “Biserka” me thirrje publike u shitën nga kreditorët në vitin e kaluar me një vlerë totale prej 1 milion eurove.

Bodrumi dhe kati përdhes i ish-hotel Kristalit me sipërfaqe 1,585m2 janë shitur për 46.5 milionë denarë. Edhe një pjesë e ish-hotelit Kumanova prej 349m2 është shitur për 20.5 milion denarë.

Ambientet ndihmëse të ish-hotelit “KU-BA” prej 334m2 u shitën për 2.6 milionë denarë. Është shitur edhe kafeneja “Lovec”, ndërsa prona e mbetur e “Kristal”, “KU-BA” dhe objekteve të tjera pritet të shiten në një procdedurë tjetër ankandi. Sipas asaj që kemi mësuar, ka edhe një ngërç! Edhe pse gati 10 vite ka një vendim të plotëfuqishëm gjyqësor për pronësi, Agjencia e Kadastrës nuk i kthen ato prona të mbetura të SH.A. “Biserka” në falimentim dhe shitja nuk mund të realizohet për investime.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit