Çarja e një dige në rezervuarin e fshatit Çërravë, në Bashkinë e Pogradecit, disa javë më parë ka lënë pasoja të konsiderueshme ekologjike në dhjetëra dynym tokë bujqësore, në pronësi të banorëve të këtij fshati.
Siç shihet edhe nga pamjet, çarja e digës, përveç vënies së tokës nën pushtetin e ujit, është shoqëruar edhe me mbetje inerte dhe mbeturina urbane, të cilat kanë mbuluar këto sipërfaqe tokash të mbjella.
Pronarët e tokës sqarojnë se e gjithë sipërfaqja e mbuluar nga mbetjet urbane dhe inertet ka qenë e mbjellë me grurë, jonxhë dhe elb, ndërsa i gjithë prodhimi sipas tyre ka shkuar dëm, raporton për Klan News, gazetarja Daniela Zisi.
Gjendja u bë edhe më e rëndë për shkak se pas çarjes së digës, vërshimi i ujit mori me vete edhe të gjitha mbetjet e një landfilli që ndodhej pranë, duke mbuluar me to dhjetëra dylym tokë të mbjellë.
Për situatën e krijuar janë njoftuar drejtuesit lokalë të njësisë administrative dhe të Bashkisë, të cilët kanë premtuar se do të kryejnë pastrimin dhe rehabilitimin e tokës. Sipas banorëve, ende nuk dihet saktësisht sesa është sipërfaqja e dëmtuar.
/tvklan.al






