Shkup, 8 dhjetor – Agjencia për Ushqim dhe Veterinari nga 6 dhjetori filloi me fushatën e dytë vjetore për vaksinim oral të dhelprave dhe mishngrënësve të egër kundër sëmundjes së tërbimi.
Siç informojnë nga AUV, fushata do të zbatohet deri në fund të dhjetorit me spërkatje me aeroplan të kurtheve vaksinave nga aeroporti sportiv në Shtip, me mbështetje financiare nga Agjencia Ekzekutive Evropiane Shëndetësore dhe Digjitale (HADEA). Vlera e mbështetjes nga Agjencia për periudhë prej tre vjetëve për vaksinimin oral pranveror dhe vjeshtor është rreth 2,5 milionë euro.
Kurthet hidhen në gjithë territorin e shtetit, me përjashtim të vendeve të banuara, sipërfaqeve ujore dhe majave malore mbi 2.000 metra lartësi mbidetare, me çka do të hidhen rreth 450 mijë kurthe vaksinale. Fushata është paraparë të përfundojë në fund të dhjetorit të këtij viti varësisht nga kushtet e motit në teren.
Ju bëjnë thirrje qytetarëve që në ditët në vijim me kujdes të madh të lëvizin në natyrë, të kenë kujdes në komunikimin me kafshët, veçanërisht me dhelprat të cilat i afrohen vendbanimeve dhe të cilat nuk shfaqin frikë nga njerëzit dhe në asnjë rast të mos i prekin kurthet vaksinale, të cilat janë me ngjyrë kafe dhe ju ngjajnë kubeve nga çokollata.
Nga AUV theksojnë se tri javë pas përfundimit, gjegjësisht pas festave të Vitit të Ri, Agjencia do të zbatojë kontroll për suksesin e aksionit (monitorim pas vaksinimit) përmes shoqatave të gjuetisë sipas marrëveshjeve të lidhura përmes qëllimit të numrit të dakorduar të dhelprave për hetime laboratorike të suksesit të imunizimit te dhelprat përmes konfirmimit pranisë së antitrupave dhe detektimit të tetraciklinës në dhëmbët te dhelprat e qëlluara.
Maqedonia filloi zbatimin e Programit për vaksinimin oral të dhelprave kundër tërbimit në maj të vitit 2011, kur u krye fushata e parë. Që atëherë, janë konfirmuar 9 raste të tërbimit, 8 te kafshët e egra (4 dhelpra dhe 4 ujqër) dhe një te një mace shtëpiake në vitin 2012. Që nga viti 2012, kur u konfirmua rasti i fundit i tërbimit te një mace në rajonin e Radovishit, nuk janë regjistruar raste të reja të sëmundjes te kafshët shtëpiake në vend. Fushatat e vaksinimit oral të këtij viti po kryhen për herë të parë pas një ndërprerjeje 3-vjeçare, përkatësisht aksioni i fundit i tillë u krye në vjeshtën e vitit 2022.







