Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë mirëkuptim ndaj qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, në raport me Listën Serbe, thotë nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu. Dy ditë pasi Ambasada e SHBA-së në Kosovë reagoi karshi LVV-së për shkak të mos certifikimit të Listës Serbe nga KQZ-ja, Haxhiu deklaron se në asnjë vend demokratik nuk do të ishte normale që një subjekt i tillë si Lista Serbe, të garonte në zgjedhje parlamentare. Sipas saj, Lista Serbe i përfaqëson interesat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe de-fakto e ka për kryetar kryeterroristin Milan Radoiçiq, i cili është përgjegjës për sulmin terrorist serb në Banjskë, në vitin 2023.
“Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë me të cilët kemi komunikime edhe ata e dinë se kush është Lista Serbe. Mendoj se pikërisht duke u përpjekur me çdo kusht që Lista Serbe të konsiderohet si një subjekt demokratik dhe normal në Kosovë mendoj se po e mbysin pluralizimin brenda vet subjekteve të tjera që e përfaqësojnë komunitetin serb… 09:17 Partnerët tanë ndërkombëtarë e dinë shumë mirë se cilat janë arsyet dhe ata kanë dokumente të mjaftueshme që ndërlidhen me Listën Serbe. Ata e dinë se kryetari formal i Listës Serbe është kryeterroristi Milan Radoiçiq… Ne kemi pritur që qëndrimet tona të kenë mirëkuptim por megjithatë kjo nuk nënkupton që ne nuk duam të mbrojmë pozicionin tonë… Nuk e shoh se ka ndonjë kosto. Ne mundohemi t’i fuqizojmë raportet tona. Qëndrimet ndryshe janë normale në një vend si Kosova, pasi asnjë veprim nuk e kemi bërë në mënyrë tinëzare”, tha Albulena Haxhiu, Vetëvendosje.






