Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, në emisionin “Direktno” në “Telma” paralajmëroi se në mbledhjen e sotme të Bordit Ekzekutiv, organi më i lartë i partisë, do të kërkojë dorëheqjen e të gjithë anëtarëve aktualë.
“Bëmë analiza brenda partisë në të gjitha nivelet, ku rezultatet ishin të ndryshme. Kishte komuna ku dështuam, por edhe ku treguam rezultate. Bazuar në të gjitha analizat dhe bisedat, si dhe përgatitjen e strategjisë së mëtejshme të partisë, tashmë sot, pra sonte, do të kemi një mbledhje të Bordit Ekzekutiv ku do të kërkoj dorëheqjen e të gjithë anëtarëve, dhe në një nga mbledhjet e ardhshme do të zgjidhet një udhëheqje e re dhe përbërja e re e partisë”, tha Filipçe.
Ai shtoi se për funksionet do të zgjidhen “personat më kompetentë për pozitat”.





