Rritja e një fëmije në Maqedoni u kushton prindërve nga 150 deri në 200 mijë denarë në vit, që i bie rreth 12–16 mijë denarë në muaj. Këto janë shpenzime për një jetë elementare thonë nga “Qendra për Barazi dhe Drejtësi” të cilët kanë anketuar 650 prindër që kanë fëmijë të moshave të ndryshme.
“Ajo që u nxor si përfundim te ne i konfirmon edhe hulumtimet e shteteve të tjera, e kjo sipas hulumtimit tonë – shpenzimet për fëmijët më të vegjël dhe të grupmoshave më të mëdha janë më serioze, pra familjeve që kanë foshnja dhe tinejxherë u duhen më së shumti resurse financiare, për të pasur një jetë cilësore dhe qasje për në arsim dhe shërbime tjera të fëmijëve”, tha Katerina Shapkova-Kocevska, profesoreshë, hulumtuese.
Ndonëse thuhet se arsimi i fëmijëve është falas, prindërit kanë harxhime të mëdha shtesë thonë nga qendra që e ka realizuar hulumtimin.
“Gjithashtu analiza ka treguar se për ato shërbime për të cilat shteti thotë se janë falas – si për shembull – shkollimi, ka shumë shpenzime të fshehura siç janë edhe pagesa e uniformave, pagesë për libra, për materiale higjienike për kopshte, kështu që prindërit ballafaqohen me shumë harxhime shtesë edhe pse shteti u thotë se janë falas”, u shpreh Neda Çallovska-Dimovska, “Qendra për barazi dhe drejtësi”.
Prindërit pjesë e hulumtimit kanë thënë se mbështetja që e jep shteti për ta nuk është e mjaftueshme për rritjen e fëmijëve dhe kur ka dy ose më shumë fëmijë, rritet norma e varfërisë për familjen. Pas kësaj nga organizata “Qendra për barazi dhe drejtësi” kërkojnë që shteti të angazhohet seriozisht në politikat demografike dhe të revidojë programet për mbështetje të familjeve. (Tv21)





