Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot mori pjesë në panel diskutimin me temë “Mundësitë për investime të huaja në Maqedoninë e Veriut”, që u mbajt në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Berlin.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë ekonomi që krijon vlerë të shtuar dhe ofron kushte të qarta dhe afatgjata për investitorët. Me modelin e ri të mbështetjes financiare që do të nisë në vitin 2026, shteti shpërblen investimet cilësore, krijimin e vendeve të punës, qendrat teknologjike dhe projektet që kontribuojnë në zhvillimin rajonal”, tha ministri Durmishi.
Ai theksoi se Gjermania mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se vizioni i përbashkët ishte forcimi i lidhjeve afariste, nxitja e investimeve moderne dhe krijimi i mundësive të reja për rritje ekonomike.
Ministri, siç njoftoi Ministria e Ekonomisë, falënderoi organizatorët dhe komunitetin e biznesit në Gjermani për mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar se ngjarje të tilla janë platformë e rëndësishme për ndërtimin e besimit dhe partneriteteve të reja.
Ngjarja u organizua nga Klubi i Biznesit Gjermani – Maqedoni e Veriut (DNMBC) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Në hapjen morën fjalë edhe Gafar Vejseli, kryetar i DNMBC, ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, si dhe ambasadori në Gjermani i Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Ylber Sela.
“Paneli bashkoi emra të rëndësishëm nga sektorët ekonomikë dhe institucionalë, duke përfshirë drejtorin e DZZHTI-së Goce Dimovski, ish-guvernatoren e BPRMV-së Anita Angellovska Bezhoska, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe delegacionin gjerman për industri për rajonin”, informojnë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.





