6.8 C
Skopje
Tuesday, December 2, 2025

Emërimet e ministrave Sali dhe Hoxha, Gashi: Seanca në periudhën 15-18 dhjetor

Votimi i propozimeve të reja ministrore në Kuvend, Bekim Sali në Ministrinë për Çështje Evropiane dhe Muhamet Hoxha në Ministrinë e Ambientit Jetësor do të bëhet pas 15 dhjetorit. Kryeparlamentari Afrim Gashi në takimin me gazetarë theksoi se në po të njëjtën seancë do të bëhet edhe shkarkimi i ministrit të deritanishëm në dikasterin e Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani.

“Sipas rregullores, emërimet bëhen në seancën e radhës, që i bie të jetë në periudhën prej 15 deri më 18 dhjetor. Në njërën prej këtyre ditëve do të bëhen emërimet e reja, si shkarkimi i Murtezanit. Po shikojmë mundësinë që në seanca të ketë njëkohësisht edhe pyetje të deputetëve të opozitës. Por, gjithsesi duhet të rishikohet edhe kjo mundësi.”, – u shpreh kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.

Riformatim i Qeverisë, Mickoski: Fokusi, në agjendën reformuese

Ndërkohë Qeveria nuk parashikon rikonstruim, pasi fokusi është në agjendën reformuese. Një ndryshim më i thellë pritet të ndodhë pas 6 dhjetorit, pas kongresit të partisë të VMRO-DPMNE-së, ku do të zgjidhet kryetar i ri. Kryeministri pret që ministrat e rinj, Sali dhe Hoxha, të punojnë me përgjegjësi dhe përkushtim.

“Tani në këtë periudhë kemi prioritete të tjera. E dini që midis 17 dhe 18 dhjetorit mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në. Kështu që kemi prioritete të tjera. Jemi të fokusuar në këtë, që të ripërsërisim edhe njëherë pozicionet tona rreth anëtarësimit të Maqedonisë në BE.”, – theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Ndërkohë Parlamenti po diskuton variantet për ndryshimet e kodit zgjedhor. Në tryezë janë dy opsione, debati të nisë pasi të marrin propozimin qeveritar ose të diskutohet pa këtë dokument, pasi sipas Gashit, vërejtjet dhe dobësitë në realizimin e zgjedhjeve janë veç më të njohura. Gashi insiston që debati të zhvillohet në Kuvend me formimin e grupit të punës, ku do të përfshihen edhe ekspertëve dhe përfaqësues të OSBE-së.

Kuvendi në udhëkryq, edhe sa i përket formimit të komisionit anketues për tragjeditë në vend, pasi ekzistojnë dy iniciativa paralele: njëra e opozitës, e cila kërkon zbardhjen e tragjedisë në Koçan dhe kërkesa tjetër e shumicës parlamentare që fton për zbardhjen e të gjitha tragjedive. Kryeparlamentari konsideron se duhet të ekzistojë një komision.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit