Prindërit shpenzojnë deri në 200 mijë denarë në vit për nevojat e fëmijëve. Këtë e tregojnë të dhënat e hulumtimit të Qendrës për Barazi dhe Drejtësi, i mbështetur nga fondacioni Friedrich Ebert. Sipas Qendrës analizat zyrtare të Entit shtetëror të Statistikës shporta minimale sindikale nuk i përfshin kostot që ndryshojnë sipas moshës së fëmijës. Ndërkohë mbështetja që jep shteti nuk përputhet me nevojat reale të prindërve, ndërsa me rritjen e numrit të fëmijëve rritet edhe rreziku i varfërisë familjare.
“Për fëmijët deri në dy vjeç harxhimet janë rreth 166 mijë denarë në nivel vjetor, megjithatë këtu kemi shpenzime fillestare që patjetër duhet ti kenë, siç janë shtrati, ulësja, që janë minimumi plus 20 mijë denarë. Më pas prej moshës 2 deri në 6 vjeç harxhimet janë rreth 148 mijë denarë, më pas në shkollë janë rreth 105 mijë, dhe gjimnazistët harxhojnë më së shumti rreth 190 mijë denarë. Në përgjithësi harxhimet janë nga 160 mijë deri 200 mijë denarë në nivel vjetor”, deklaroi Neda Çallovska Dimovska, drejtoreshë e Qendrës për Drejtësi dhe Barazi.
Harxhime më të mëdha kanë familjet me fëmijë të vegjël dhe ata që kanë gjimnazistë.
“Mesatarisht rezulton që harxhimet për fëmijët më të vegjël dhe fëmijët më të rritur janë më serioze, pra familjet që kanë foshnja dhe gjimnazistë në parim kanë më së shumti nevojë për burime financiare që të sigurojnë jetë cilësore dhe qasje në arsim dhe shërbime të tjera të fëmijëve”, tha Katerina Shapkova Kocevska, hulumtuese kryesore.
Valon Sadiki, nga fondacioni Friedrich Ebert, tha se të dhënat e hulumtimit do të jepen si rekomandime institucioneve shtetërore për të përmirësuar politikat e mbrojtjes së fëmijëve.
“Në bazë të kësaj analize do të jepen rekomandime se si të përmirësohet kjo gjendje, dhe organet shtetërore, faktikisht qeveria dhe ministritë të mund ti shfrytëzojnë gjetjet nga kjo analizë, që të mund ti përmirësojnë dhe ti adaptojnë më mirë politikat e tyre ndaj mbrojtjes së fëmijëve”, u shpreh Valon Sadiki, menaxher programesh në fondacionin Friedrich Ebert.
Ndërkohë shërbimet që zyrtarisht deklarohen si “pa pagesë” u kushtojnë prindërve shuma të konsiderueshme. Vetëm për higjienë ata harxhojnë rreth 500 denarë në muaj, për uniformë 1.500 denarë, për libra 500 denarë, ndërsa materialet e nevojshme për fillimin e vitit shkollor arrijnë deri në 2.000 denarë. Për gjimnazistët, mbi 95 për qind e prindërve kanë deklaruar se pajisjet elektronike të domosdoshme për mësim kushtojnë rreth 13 mijë denarë. /Alsat.mk





