10.8 C
Skopje
Monday, December 1, 2025

PTHP– NKOK: Hetimi kundër zyrtarëve policorë ka përfunduar, aktakuza ende nuk është dërguar

Po finalizohet përgatitja e aktakuzës kundër zyrtarëve policorë të përfshirë në tragjedinë në Koçan. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e ka përfunduar hetimin, por aktakuza ende nuk është dërguar në Gjykatën Penale. Nga atje për Alsat thonë se tani pritet që të gjitha palët në procedurë të marrin njoftim se hetimi ka përfunduar, dhe pasi të kalojë afati ligjor për dorëzimin e provave, aktakuza do të dorëzohet.

“Prokurori publik këto ditë po ua dërgon njoftimet për përfundimin e hetimit të gjithë të akuzuarve dhe mbrojtjes së tyre. Pasi t’i marrin njoftimet, të akuzuarit dhe mbrojtja kanë afat ligjor prej 15 ditësh për dorëzimin e provave. Pas përfundimit të këtij afati, do të merret vendim prokurorial, për të cilin opinioni do të njoftohet menjëherë”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Gjithsej 30 zyrtarë policorë dyshohen se nuk kanë kryer kontroll të detajuar të licencës së të ashtuquajturit klub nate “Puls” në Koçan, dhe atë në pjesën që ka të bëjë me ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Hetimi i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit filloi menjëherë pas tragjedisë dhe fillimisht përfshinte shtatë policë, në prill u zgjerua me edhe dhjetë të tjerë, ndërsa në qershor numri i të dyshuarve u rrit edhe për 13 persona.

Ndërkohë, është në vijim gjykimi për zjarrin në Koçan në lëndën që e udhëheq Prokuroria Themelore Publike, në të cilën janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë.

Seanca e radhës është caktuar për nesër. Paralelisht me këtë, është hapur edhe një rast i tretë në prokurorinë e Koçanit, në të cilin janë përfshirë 11 persona, përfshirë edhe inspektorë nga DAP-i në Shtip dhe Strumicë, të dyshuar se u kanë dhënë informacion paraprak për kontrollet inspektuese përgjegjësve në “Puls”, dhe në këmbim kanë marrë dhurata.

Edhe pse prokuroria kërkonte arrest efektiv për dy inspektorët nga Shtipi, Gjykata e Koçanit në seancë të mbyllur, duke e fshehur vendimin nga publiku dhe duke e shpallur atë ditën tjetër, vendosi t’u japë atyre arrest shtëpiak. Njëri nga këta inspektorë është edhe vëllai i kryetares së Gjykatës Penale në Shkup, Daniela Dimovska. Në zjarrin në “Puls” në Koçan, që shpërtheu më 16 mars, humbën jetën 63 persona, ndërsa rreth 200 u plagosën./ Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit