6.8 C
Skopje
Monday, December 1, 2025

Aksident tragjik në Zvicër! Humb jetën një 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut

Një aksident i rëndë rrugor me pasoja fatale dhe elemente të veprës penale tronditi Zvicrën këtë fundjavë. Në incidentin që ndodhi në Schlieren, kantoni i Cyrihut, humbi jetën tragjikisht një 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, përcjell TV21. Sipas raportimeve të mediave në Zvicër, shoferi, po ashtu 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, pas përplasjes fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes, më pas u vetëdorëzua.

Makina me 500 kuaj fuqi “fluturonte” në zonën 30 km/h

Sipas raportit zyrtar të Policisë Kantonale të Cyrihut, aksidenti ndodhi të shtunën rreth orës 23:30. Automjeti, një SUV i fuqishëm BMW me mbi 500 kuaj fuqi, po lëvizte nga Engstringerstrasse drejt Grabenstrasse.

Ekspertët e policisë, bazuar në gjurmët në vendin e ngjarjes, konkluduan se makina po lëvizte me shpejtësi shumë më të madhe se ajo e lejuar, në një zonë ku kufizimi është strikt 30 km/h.

Pas një kthese djathtas, vozitësi humbi kontrollin mbi automjetin e fuqishëm. Automjeti doli nga rruga nga ana e djathtë, duke shkaktuar një seri përplasjesh. Së pari rrëzoi një dritë për ndriçim në rrugë, më pas goditi një pemë pranë rrugës, në fund, u përplas me pjesën e përparme, në fasadën e një shtëpie banimi.

Sipas raportimeve, pas aksidentit, pasagjeri – një 39-vjeçar nga Maqedonia e Veriut – mori lëndime të rënda. Në vend që të kërkonin ndihmë të menjëhershme, shoferi dhe një grua, ende e paidentifikuar, që ishte në automjet, u larguan nga vendi i ngjarjes, duke e lënë viktimën pa ndihmë. Shërbimet e emergjencës arritën shpejt dhe e transportuan të plagosurin në spital, ku ai ndërroi jetë të dielën pasdite.

Shoferi dorëzohet, pasagjerja në kërkim

Policia dhe Prokuroria Publike e Cyrihut-Sihl nisën menjëherë një hetim të gjerë. I detyruar nga rrethanat, vozitësi u paraqit në stacionin e policisë të dielën, pak para orës 12:00, dhe iu dorëzua autoriteteve.

Hetimi vazhdon pa ndërprerje, ndërsa policia ende kërkon gruan që ishte në automjet për të zbuluar rolin dhe identitetin e saj.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit